Ende asnjë masë nga IPK-ja për policët që takuan Vuçiqin

Ende asnjë masë nga IPK-ja për policët që takuan Vuçiqin

Thirrjen për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Serbi më 22 mars nuk e kishin refuzuar pesë eprorë të Policisë së Kosovës të cilët punojnë veri të vendit.

Në takim ishin prezent Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i stacionit policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zivkoviq, Igor Vukadinoviq nga Stacioni policor në Leposaviq, komandanti i stacionit policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq si dhe Shefi i Hetimeve në Zveçan.

Në këtë takim kishte marrë pjesë kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, Liljana Stevanoviq.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte marrë vendim që ta suspendojnë Liljana Stevanoviqin deri në një vendim të radhës.

Për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë pati reagime nga krerët e shtetit, por deri tani nuk është ndërmarrë asnjë masë ndaj tyre as nga drejtori i Policisë së Kosovës e as nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Me rastin e zyrtarëve policor të cilët morën pjesë në Këshillin e Sigurimit të Sigurisë në Serbi ku ishin të ftuar nga Aleksandër Vuçiq është duke u marrë Inspektorati Policor i Kosovës.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një bisedë për Gazetën Enigma thotë se drejtori i policisë bëri gabim që e ka dërgu lëndën në Inspektoratin Policor të Kosovës. Ai thotë se policët që morën pjesë në takim me Vuçiqin është dashur të suspendohen menjëherë duke mos pritur më gjatë.

“Është plotësisht gabim që drejtori i Policisë së Kosovës e ka dërguar lëndën në Inspektoratin Policor të Kosovës. Realisht në momentin që këta eprorët e Policisë së Kosovës nga stacionet policore dhe njësitë rajonale të veriut janë parë në takimin e Këshillit të Sigurisë së Serbisë në takim me Vuçiqin në atë moment është dashtë që drejtori i policisë t’i suspendojë menjëherë e mos të pres më gjatë, nuk ka pasur nevoje që paraprakisht t’i dërgojë në inspektorat, mirëpo është dashur që njëherë t’i suspendojë dhe nëse ka ndonjë dyshim për ndonjë vepër penale, atëherë lëndët të dërgohen në inspektorat”, thotë Qalaj për Gazetën Enigma.

Dërgimi i lëndes nga drejtori i Policisë së Kosovës në IPK po shihet ma shumë se blerje kohe nga Qalaj e jo që do të merret ndonjë vendim për suspendimin e tyre.

“Atë që ka vepru drejtori i policisë ndaj ministrit të brendshëm është vetëm që të blejë kohë që inspektorati t’i hetojë dhe unë jam i sigurt që ata do të kërkojnë nga inspektorati që mos të nguten me këto hetime të vazhdojnë për një kohë derisa situata të qetësohet, situata të qetësohet dhe pastaj inspektoriati do ta japë një rekomandim te drejtori i policisë që nuk ka vend për hetime penale dhe ia bën një kërkesë drejtorit të policisë për me e shiku se çka ka nga aspekti administrative. Pra më shumë është blerje kohe është gabim, unë mendoj që ata është dashur të suspendohen menjëherë”, thotë Rashit Qalaj, deputet nga radhët e PDK-së.

Për këtë çështje Qalaj thotë se ka ndikim edhe faktori ndërkombëtar, por sipas tij drejtori i policisë ka autoritet të plotë që të marrë vendime për raste të tilla.

“Padyshim që ka ndikim edhe faktori ndërkombëtarë, mirëpo vendimet e shtetit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, sidomos të drejtorit të policisë janë vendime autonome, janë veprime legjitime dhe është dashtë të veprohet menjëherë”, vlerëson Qalaj.

Njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi thotë se kjo çështje është e ndishme, pasi ky problem ekziston që disa vite.

“Është çështje shumë e ndishme për arsye se ka të bëjë me një problem që disa vite, problem që iu ka var Kosovës si guri n’qafë edhe është çështje shumë e ndishme. Kosova ka pasur shumë telashe derisa i ka integru serbët për me qenë pjesë e Policisë së Kosovës edhe kjo na ka marrë goxha kohë edhe hapësirë edhe e kemi pasur si detyrim ndërkombëtarë”, thotë njohësi i sigurisë, Fadil Kajtazi për Gazetën Enigma.

Kajtazi thotë se kur një zyrtar policor takohet me strukturat e një shteti armiqësor si Serbia është vepër penale.

“Serbia është shtet armiqësor i Kosovës, ata nuk heqin dorë nga pretendimet për me e marrë territorin e Kosovës. Ata neve na kanë në kushtetutë si pjesë e tyre edhe kontakti i një zyrtari policor me strukturat të një vendi armiqësor është vepër penale”, thotë Kajtazi.

Ai thotë se duhet të ndërmerren veprime për zyrtarët policor që ishin në takim me Vuçiqin, pasi është një shtet armik i Kosovës.

“Nivelin e inkriminimit e përcakton një informatë më detajisht, çka ka bo, çka ka marrë, mirëpo vet takimi është vepër penale, gjithsesi se duhet të veprohet për arsye se kemi të bëjmë me një shtet armiqësor të Kosovës”, thotë Kajtazi.

Kajtazi thotë se kjo çështje duhet me u analizu prej juristëve se kush duhet të merret me këtë punë.

“Tasht kush duhet me e bo këtë punë, a duhet me bo Inspektorati Policor i Kosovës, apo drejtori i policisë apo duhet prokuroria është çështje e cila duhet me u analizu prej juristëve. Mirëpo, çdo takim, jo vetëm i policisë edhe ministri Rakiq, kur takohet me strukturat serbe është vepër penale”, thotë ai.

Nëse Kosova konsultohet me faktorin ndërkombëtar për këtë çështje është normale sipas njohësit të sigurisë, Fadil Kajtazi.

“Siguria e Kosovës në pjesën ma të madhe bëhet prej faktorit ndërkombëtarë edhe normalisht që shteti duhet të funksionojë duke i marrë sugjerimet e tyre, kjo është shumë normale dhe shumë e mirë që bëhet, normalisht që duhet me u koordinu vazhdimisht, pasi kapacitetet tona në këtë fushë janë të vogla edhe gjithsesi duhet me u konsultu me faktorin ndërkombëtarë, mirëpo është vepër penale është spiunazh i pastërt”, potencon Fadil Kajtazi.

Gazeta Enigma ka dërguar pyetje edhe në Inspektoratin Policor të Kosovës, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk kemi marrur përgjigje. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles