Forcat e KFOR-it në Kosovë janë përforcuar nga batalioni i parë mbretëror i Gurkhave. Kjo njësi elitare e ushtrisë britanike, ka arritur për një stërvitje luftarake për pengimin e trazirave, e cila rastësisht ose jo, përputhet me tensionet e fundit në vendkalimet kufitare të Kosovës në Jarinje dhe Bërnjak, shkruan gazeta serbe Politika.
Sipas kësaj gazete, në Kosovë kanë arritur gjithsej 485 ushtarë britanikë, kryesisht Gurkha.
“Për serbët në Kosovë dhe shtetin e Serbisë, është shqetësuese që Gurkhat erdhën në Kosovë me pajisje për parandalimin e demonstratave në rrugë”, ka thënë nënkolonel në pension i shërbimit ushtarak serb të inteligjencë (KOS) Luban Karan për “Politika”.
“Nëse ato njësi do të përdoren për të parandaluar ndonjë protestë të mundshme nga serbët, unë dyshoj se ato do të ishin objektive dhe është e mundur që ata të përdorin forcë kundër popullatës serbe në veri”, pretendon Karan.
Ai shton se “Qeveria e Kosovës pritet të organizojë veprime ushtarake që synojnë burimet dhe sistemet e energjisë në veri”.
“Kjo mund të jetë një mundësi që shqiptarët e Kosovës të shkojnë në veri ushtarakisht dhe që populli serb të protestojë. Neve na përgjigjet që KFOR është aty të pengoj trazirat, por me kusht që t’i mbrojnë serbët”, ka shtuar Karan.
Ai konfirmon se Gurkhat janë njësitet më elitare britanike, sepse ata janë luftëtarë të lindur, prandaj ata dërgohen nëpër rajone ku priten problemet.
Megjithatë, ai pretendon se “britanikët në Kosovë gjithmonë kanë qenë të njëanshëm dhe kjo duhet seriozisht të na brengosë”.
“Kjo është edhe një arsye serioze për çka duhet të na brengos ardhja e Gurkhave në Kosovë”.
Ndryshe Gurkhat, konsiderohen si njësi elite, luftojnë që gati 200 vjet në radhët e ushtrisë së Britanisë, shenja e tyre dalluese është thika e shtrembëruar, e quajtur Kukri./Gazeta Enigma.