Më 13 mars 2015, Federata e Basketbollit e Kosovës u bë anëtarja e 215-të e FIBA-s.
Kosova u pranua në FIBA me të drejta të plota. Kjo gjë u mirpritë nga dashamirët e basketbollit pasi “Dardanët” mund të garojnë në garat ndërkombëtare me të drejta të plota sikurse shtetet e tjera të të gjithë botës pas një çerekshekulli izolim, raporton Gazeta Enigma.
Delegacioni i prirë nga kryetari i atëhershëm i FBK-së, Erolld Belegu, dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në FIBA më 5 shkurt 2015.
Përgjigja erdhi më 13 mars, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të FIBA, që me votim unanim e pranoi Federatën e Basketbollit të Kosovës si anëtaren e vet të 215-të.
Njohësit dhe gazetarët sportiv Tahir Sopi dhe Arbër Loxha, në një bisedë për Gazetën Enigma kanë treguar se çfarë rezultate ka arritur basketbolli kosovar prej pranimit në FIBA.
Gazetari i sportit, Tahir Sopi thotë se prej pranimit të FBK-së në FIBA nuk është që kemi parë ndonjë përparim të madh.
Sipas, Sopit deri tani Kombëtarja e Kosovës A te djemtë nuk ka pasur rezultate në kualifikimet për botëror dhe evropian.
“Pranimi në FIBA, ka qenë shumë i rëndësishëm për basketbollin kosovar, por nuk është se kemi vërejtur ndonjë përparim të madh. E them këtë për shkak se me përfaqësuesen A nuk është se kemi pasur ndonjë rezultat në kualifikime dhe tani parakualifikime për Eurobasket e Kampionat Botëror. Po ashtu, edhe me gjeneratat e reja, nuk është se kemi pasur rezultate, sikurse edhe ne konkurrencën e femrave. Sigurisht, se kemi mundur të bëjmë shumë me shumë në këto aspekte dhe te paktën të jemi më të suksesshëm me gjeneratat e reja, nëse jo me ato seniore”, thotë Sopi për Gazetën Enigma.
Sopi thotë se shqetësuese është që Kosova A që një kohë të gjatë nuk është grumbulluar dhe nuk dihet nëse trajneri Marmarinos do të jetë në krye të ‘Dardanëve’
“Te ekipi A i Kosoves, janë bere shume natyralizime te amerikanëve, por nuk është se kanë pasur rezultatin e pritur. Shqetesues është fakti se ekipi A ka kohë që nuk eshte mbledhur dhe nuk kemi ndonjë informacion nëse trajneri Christos Marmarinos vazhdon të jetë në krye të Kosovës apo është larguar”, vlerëson ai.
I pyetur se a e ka shfrytëzuar FBK-ja, pranimin në FIBA, Tahir Sopi thotë se e kanë organizuar vetëm sa i përket organizimit të turneve kualifikues në Prishtinë e Prizren.
Ai thotë se FBK-ja duhet të ketë synime më të mëdha të ardhmen për ta shfrytëzuar më mirë pranimin në FIBA.
“Mendoj se federata e ka shfrytëzuar pranimin në FIBA, sa i përket organizimit të turneve kualifikues që i ka pasur në Prishtinë dhe Prizren për gjeneratat e reja, për të cilat ka marrë edhe lëvdata. Kurre nuk eshte mjaftueshëm dhe sigurisht që mundet të bëhet shumë më shumë dhe shpresoj se federata tashmë në planin e saj, e ka të përcaktuara synimet e saj për të pasur të arritura më të mëdha duke e shfrytëzuar pranimin në FIBA”, thotë ai.
Klubet e basketbollit kanë përfituar pas pranimit në FIBA duke pasur mundësinë që të garojnë në Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup, përkundër që janë eliminuar në rundin parë sipas Sopit.
“Ka përfitime për klubet tona, të cilat para pranimit në FIBA kanë mundur të paraqiten vetëm në Ligen Ballkanike për ta përfaqësuar basketbollin kosovar. Ndërsa, pas pranimit, atyre i eshte dhënë mundësia të paraqiten në Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup, përkundër që në Champions janë eliminuar në rundin e parë kualifikues”, potencon Tahir Sopi.
Sipas Sopit, klubet kosovare në të ardhmen do të bëjnë më shumë që ta përfaqësojnë vendin në garën e Champions Leagues.
“Besoj që që të ardhmen klubet do të bëjmë shumë më shumë për një përfaqësim edhe më të denjë në Champions, që është niveli i tretë i garave evropiane. Po ashtu, edhe të femrat do të duhej të luanim ne garat e FIBA-s, ndonëse deri me tani vetëm Prishtina ka pasur një paraqitje para disa vjetësh në fazën e grupeve”, potencon ai.
Ai thotë se asni pse kombëtaret në kategorinë e vajzave marin pjesë rregullisht në turnetë kualfikues të FIBA-s nuk është se kanë pasur ndonjë rezultat. Sopi po ashtu shton se deri tani nuk ka shpërthyer ndonjë basketbolliste në arenënë ndërkombëtare nga basketbolli kosovar.
“Përfaqesueset rregullisht marrin pjesë nëpër turnetë kualifikues te FIBA-s, por nuk është se kemi ndonjë rezultat, me përjashtim të gjeneratës U18 dhe U16 që para disa vitesh triumfuan në turneun kualifikues te divizionit C. Sa i përket basketbollisteve, nuk është se kemi ndonjë nga kampionati i Kosoves qe luan ne ndonjë ligë të fortë evropiane, ndonëse mendoj se kemi lojtare të tilla qe do të mund të luanin”, thotë ai.
Gazetari dhe komentatori i sportit, Arbër Loxha thotë se ka përparuar basketbolli kosovar prej pranimit në FIBA, por nuk bën të kënaqen me kaq, duke bërë që të kërkojnë më shumë të ardhmen.
“Mund të themi se që ka përparuar, kuptohet me derën e hapur për vazhdimin e përmirësimit të asaj që kemi mundur edhe më tepër. Por, kuptohet q të qenurit në FIBA janë hapur dyert e bashkëpunimit me anëtarët tjeraë dhe shkëmbimi i eksperienccave e bën punën më të lehtë. Përimirësimi dhe organizimi dukshëm është më i mirë, por kjo s’bën të na kënaqë përkundrazi duhet të na motivoj që ende të vazhdojmë zhvillimin e basketbollit”, vlerëson gazetari dhe komentatori i sportit, Arbër Loxha.
Loxha thotë se nuk ka njohuri të detajuara se sa i ka shfrytëzuar përparësitë FBK-ja prej pranimit në FIBA, por sipas tij ka mundësi që ta shohim basketbollin kosovar edhe në nivele më të larta.
“Rreth kësaj nuk kam njohuri të detajuara sa i ka shfrytëzuar përparësitë FBK-ja, por përshtypja është që mundemi me tepër që ta shohim basketbollin tonë edhe më lartë”, thotë Loxha për Gazetën Enigma.
Sipas Loxhës, pranimi në FIBA ka bërë që të përfitoj basketbolli kosovar në shumë fusha.
“Përfitimi ka qenë i madh, së pari ekspozimi dhe matja e nivelit tonë me të tjerët. Qasja në forume dhe kampe basketbollistike, trajnimet për gjyqtarët, organizimet e ngjarjeve dhe shume detaje tjera që FIBA i ofron për anëtarët e saj” thotë ai.
Ai thotë se pas pranimit në FIBA, klubet kosovare janë të detyruara që të jenë më korrekte me financat e tyre.
“Klubet tona detyrohen të jenë më transprente me kontratat dhe financat e tyre dhe kështu vlerësojmë më mirë qëndrueshmërine e basketbollit tonë. Sa i përket basketbollistëve, hapja e dyerve për t’u bërë pjesë e kampeve pastaj ndeshjet ndërkombëtare të të rinjëve e të gjitha këto ndihmojnë zhvillimin dhe përparimin e lojes së tyre” thote ai.
/GAZETA ENIGMA/