Me afrimin e afatit të paralajmëruar për shpalljen e aktgjykimit në rastin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëmendja në Kosovë po përqendrohet gjithnjë e më shumë te ky proces, shkruan Gazeta “Enigma”.
Njohësi i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, thotë për Gazetën Enigma se ka pasur shkelje në mënyrën se si janë trajtuar ish-krerët e UÇK-së atje.
“Me vet faktin që ka pasua shkelje duke u bazuar edhe në raportet e avokatit të popullit dhe në raportet e organizatave tjera që e kanë monitoruar procesin që ka pasur shkelje në mënyrën se si janë trajtuar të akuzuarit, mirëpo edhe gjithë procedura duke iu referuar asaj çfarë ka ofruar si prova Prokuroria ka rezulua që provat janë të fabrikuara prej shtetit të Serbisë, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë Speciale të Serbisë”, deklaroi Nrecaj.
Tutje ai ka theksuar se të akuzuarit nuk janë duke u gjykuar si individ, por si pjesëmarrës të një organizate kriminale sipas tyre, duke ikur kështu nga aspekti procedural mbi parimin bazë ku do të duhej që secili të gjykohej për një vepër penale. Kjo gjë vetëm drejtësi emri nuk e ka.
“Nuk ka pas prova bindëse që secili i akuzuar në këtë rast duke filluar prej Thaçit, Veselit, Krasniqi dhe Selimi që i njëjti në momentin e caktuar në vendin dhe kohën e caktuar kanë kryer veprën penale të vrasjes. Nuk ka pasur asnjë dëshmi të tillë, të gjitha dëshmitë dhe e gjithë tendenca e Prokurorisë ka qenë që me i ik aspektit procedural mbi parimin bazë. Parimi bazë është që secili përgjigjet për veprimet e veta individuale dmth secili person mban përgjegjësi individuale, kurse Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që me u dënua ata si pjesëmarrës të një organizate kriminale sipas kualifikimit të tyre të cilët synim kryesor e kanë pasur pavarësinë. Kjo gjithçka mundet me qenë por jo në aspektin e drejtësisë”, tha Nrecaj për “Enigmën”.
Ndërkohë nga organizata prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Ëales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Dokumenti, i prezantuar në Prishtinë nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është i përqendruar ekskluzivisht në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe konsiderohet ndër analizat më kritike të deritanishme për këtë gjykatë.
Sipas raportit, ekziston rrezik real që disa procese të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
