Me afrimin e afatit të paralajmëruar për shpalljen e aktgjykimit në rastin që po zhvillohet në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëmendja në Kosovë po përqendrohet gjithnjë e më shumë te ky proces, shkruan Gazeta “Enigma”.
Data 19 maj 2026 pritet të jetë moment kyç për këtë proces të gjatë gjyqësor dhe konsiderohet të ketë një peshë të veçantë, jo vetëm në aspektin juridik, por edhe në ndikimin që mund të ketë në zhvillimet politike në procesin parazgjedhor.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, gjatë informimit javor për media ka bërë të ditur se procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ndodhet aktualisht në një fazë të rëndësishme, ku po shqyrtohen provat dhe argumentet përfundimtare përpara marrjes së vendimit përfundimtar.
Ajo theksoi se kohëzgjatja për nxjerrjen e aktgjykimit ndryshon nga rasti në rast dhe varet nga kompleksiteti i çështjes.
Griep bëri të ditur se, bazuar në rregullat në fuqi, Trupi Gjykues ka në dispozicion një afat prej 90 ditësh për të arritur një verdikt.
Megjithatë, ajo sqaroi se ky afat nuk është i prerë, pasi në rrethana të caktuara gjyqtarët mund të vendosin ta zgjasin periudhën e kuvendimeve, nëse konsiderojnë se nevojitet më shumë kohë për një vendim të drejtë dhe të argumentuar.
Ajo shtoi se aktualisht nuk ka një datë të caktuar për shpalljen e aktgjykimit në këtë rast, por theksoi se publiku do të informohet menjëherë sapo gjyqtarët të vendosin për një afat konkret.
Shkeljet e Speciales sipas ekspertëve
Njohësi i ligjeve të Republikës së Kosovës, Anton Nrecaj, thotë se kërkesa e Prokurorisë nuk ka bazë ligjore.
Në një prononcim për Gazetën Enigma, Nrecaj tha se ka pasur shkelje në mënyrën se si janë trajtuar ish-krerët e UÇK-së atje.
“Me vetë faktin që ka pasur shkelje, duke u bazuar edhe në raportet e Avokatit të Popullit dhe në raportet e organizatave tjera që e kanë monitoruar procesin, ka pasur shkelje në mënyrën se si janë trajtuar të akuzuarit. Mirëpo, edhe gjithë procedura, duke iu referuar asaj çfarë ka ofruar si prova Prokuroria, ka rezultuar që provat janë të fabrikuara prej shtetit të Serbisë, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë Speciale të Serbisë”, deklaroi Nrecaj.
Tutje, ai ka theksuar se të akuzuarit nuk janë duke u gjykuar si individë, por si pjesëmarrës të një organizate kriminale sipas tyre, duke ikur kështu nga aspekti procedural mbi parimin bazë, ku do të duhej që secili të gjykohej për një vepër penale. Kjo gjë vetëm drejtësi emrin nuk e ka.
“Nuk ka pasur prova bindëse që secili i akuzuar në këtë rast, duke filluar prej Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, që i njëjti në momentin e caktuar, në vendin dhe kohën e caktuar, kanë kryer veprën penale të vrasjes. Nuk ka pasur asnjë dëshmi të tillë. Të gjitha dëshmitë dhe e gjithë tendenca e Prokurorisë ka qenë që me i ik aspektit procedural mbi parimin bazë. Parimi bazë është që secili përgjigjet për veprimet e veta individuale, dmth secili person mban përgjegjësi individuale, kurse Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata që me u dënuar ata si pjesëmarrës të një organizate kriminale sipas kualifikimit të tyre, të cilët synim kryesor e kanë pasur pavarësinë. Kjo gjithçka mundet me qenë, por jo në aspektin e drejtësisë”, tha Nrecaj për “Enigmën”.
Ndërkohë, organizata prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales” ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Dokumenti, i prezantuar në Prishtinë nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, është i përqendruar ekskluzivisht në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe konsiderohet ndër analizat më kritike të deritanishme për këtë gjykatë.
Sipas raportit, ekziston rrezik real që disa procese të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
Në fokus të raportit janë edhe shqetësimet për trajtimin e të akuzuarve, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, ku përmendet posaçërisht kohëzgjatja e paraburgimit dhe kufizimi i lirimit të përkohshëm.
Raporti thekson se, ndonëse kuadri ligjor i Gjykatës Speciale duket korrekt në letër, në praktikë ekzistojnë kufizime që mund të cenojnë të drejtën për liri dhe barazinë mes palëve. Një ndër gjetjet kryesore lidhet me parimin e “barazisë së armëve”, ku mbrojtja mund të jetë në disavantazh përballë Prokurorisë.
Një tjetër shqetësim serioz lidhet me provat dhe transparencën. Sipas raportit, ekziston rreziku i përdorimit të provave me vlerë të dobët ose të paverifikuara, përfshirë materiale nga Serbia, ndërsa mungon qartësia për burimin e disa prej tyre. Kjo, sipas autorëve të raportit, mund të ndikojë drejtpërdrejt në legjitimitetin e vendimeve gjyqësore.
Dokumenti ngre gjithashtu pikëpyetje për strukturën e vetë gjykatës, e cila përbëhet vetëm nga gjyqtarë ndërkombëtarë, pa përfshirje të ekspertizës vendore, si dhe për paqartësi në aplikimin e ligjit dhe mungesë transparence në disa procese dhe vendimmarrje.
Në përfundim, raporti thekson se, megjithëse Gjykata Speciale ka bazë ligjore, mënyra e funksionimit të saj në praktikë ngre shqetësime serioze për drejtësi, barazi dhe legjitimitet. Nëse këto probleme nuk adresohen, paralajmërohet se mund të dëmtohet jo vetëm e drejta e të akuzuarve, por edhe besimi publik dhe stabiliteti në rajon.
Raporti rekomandon krijimin e një mekanizmi të pavarur dhe të vazhdueshëm monitorimi për të garantuar respektimin e standardeve ndërkombëtare dhe rritjen e besueshmërisë së procesit gjyqësor në Hagë.
“Nëse bazohen në prova, liderët e UÇK-së do t’i kemi së shpejti në Kosovë”
Njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, thotë për “Enigmën” se ende nuk e dimë nëse 19 maji do të jetë një datë përfundimtare për shpalljen e vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tutje, ai ka shtuar se ajo çfarë po ndodh në Gjykatë është e çuditshme, pasi ajo ka filluar të sillet edhe përtej mandatit që e ka marrë nga Kuvendi.
“Data 19 maj 2026 është dita e fundit kur Gjykata Speciale në Hagë, lidhur me gjykimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duhet të marrë një vendim. Por, edhe pse jemi afër kësaj date finale, ende nuk është përcaktuar data e saktë e shpalljes së vendimit, ashtu siç nuk dihet nëse do të ketë shtyrje të këtij afati. Ajo që ndodh me këtë gjykatë është e çuditshme: përveç që është hermetikisht e mbyllur dhe jo transparente, ajo ka filluar të sillet edhe përtej mandatit që e ka marrë nga Kuvendi”, deklaroi Muhaxheri.
“Megjithatë, unë jam shumë optimist që epilogu përfundimtar do të jetë në favor të tyre, edhe pse kjo gjykatë, që nga fillimi, ka funksionuar me një tendencë politike ndaj këtyre liderëve, gjë që e bën edhe më të paqartë vendimin përfundimtar. Por, nëse bazohen në prova, liderët e UÇK-së do t’i kemi së shpejti në Kosovë”, tha Muhaxheri për “Enigmën”.
Por a mund të shfrytëzohet “lirimi” i ish-krerëve të UÇK-së në procesin zgjedhor?
“Në këtë rast më shumë mundet me u shfrytëzua Partia Demokratike e Kosovës, kurse partitë tjera nuk e besoj që munden me e shfrytëzua”.
“Sido që të jetë, në aspektin e procesit zgjedhor, pavarësisht epilogut, nëse epilogu rezulton me aktgjykim lirues, mund të ketë ndikim edhe në procesin zgjedhor, por natyrisht gjithmonë nëse aktgjykimi zgjidhet para datës së votimit, kur është dita e zgjedhjeve”, tha Muhaxheri.
“Nëse lirohen në kohë fushate, natyrisht që kjo do të rrisë entuziazmin dhe do të krijojë një atmosferë shprese te qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri. GAZETA ENIGMA/
