Kryetari i partisë kryesore opozitare turke, Kemal Kilicdaroglu, tha të mërkurën në mbrëmje se nuk do ta paguajë faturën e rrymës përderisa Presidenti Rexhep Erdogan nuk e tërheq rritjen e çmimit të energjisë, si shenjë e pakënaqësisë rreth rritjes së inflacionit.
Në janar, inflacioni në Turqi shkoi në gati 50 për qind, pas rënies së vlerës së lirës turke në fund të vitit të kaluar, të nxitur nga politika e presidentit turk për shkallë të ulët të interesit, duke e rritur koston e jetesës për turqit që edhe ashtu po përballeshin me vështirësi ekonomike.
“Nuk do të paguaj asnjë faturë të rrymës nga sot derisa Erdogani ta tërheqë rritjen e çmimit, të cilin e nënshkroi më 31 dhjetor”, tha kryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP), shkruan Reuters.
Përmes një videoje të publikuar në llogarinë e vet në Twitter, Kilicdaroglu gjithashtu bëri thirrje që tatimi mbi vlerën e shtuar në faturat e energjisë nga 18 për qind në 1 për qind.
Në fillim të janarit, çmimi i energjisë për përdoruesit komercialë me kërkesë të madhe u rrit deri në 125 për qind, ndërsa rreth 50 për qind për amvisëritë, që kanë kërkesa më të vogla.
Njoftimi i kryeopozitarit turk erdhi pas reagimeve të pronarëve të dyqaneve, këshillave të qyteteve dhe një grupi religjioz për rritjen e çmimit të rrymës. Pakica religjioze, Alevi, ka vendosur që të mos i paguajë faturat e rrymës për vendet ku ata bëjnë adhurime.
Rënia rekorde e vlerës së lirës turke dhe rritja e çmimeve e kanë goditur përkrahjen për Presidentin Erdogan para zgjedhjeve që pritet të mbahen jo më vonë se në qershorin e vitit të ardhshëm. Qeveria turke thotë se kreditë, eksportet dhe investimet do ta ndihmojnë vendit për t’i bërë ballë inflacionit./Gazeta Enigma/