Dëshmitari i tetë në gjykimin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka folur për Gardën Kombëtare, për çka tha se nuk ka pas informacione se kur ishte formuar ky njësit, por që detyrë e tyre ishte sigurimi i zonës operative që ka ekzistuar atë kohë.
Dëshmitari me kodin 04323, tha se pas përfundimit të luftës ishte angazhuar në këtë njësit.
I pyetur nga prokurorja e specializuar Silvia D’Ascoli se çfarë detyra kishte Garda Kombëtare, dëshmitari tha se përveç mbrojtjes së zonës operative nuk kanë pasur ndonjë detyrë tjetër të caktuar.
Dëshmitari: Nuk kam pasur informacione kur, por pas përfundimit të luftës më kanë caktuar në këtë njësit, se kur është formuar, është formuar para luftës apo pas luftës, nuk kam pasur informacion.
Prokurorja D’Ascoli: A e dini se ku ka qenë i stacionuar ky njësit?
Dëshmitari: Po ka qenë në vendndodhjen H.
Prokurorja D’Ascoli: Çfarë detyre kishte Garda Kombëtare?
Dëshmitari: Përmes mbrojtjes të cilën e kemi bërw për sigurimin e shtabit të zonës operative që ka ekzistuar në atë kohë, nuk kemi pasur ndonjë detyrë tjetër të caktuar për arsye se veç kishte filluar procesi i transferimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një forcë civile- mbrojtëse.
I pyeti nga prokurorja e specializuar, D’Ascoli se kush ishte komandanti i njësitit të Gardës Kombëtare, dëshmitari i tetë tha se ishte personi me numër 5 dhe me aq sa mban mend kjo gardë i ka raportuar direkt zonës operative të Llapit.
Prokurorja D’Ascoli: Kujt i raportonte njësiti i Gardës Kombëtare
Dëshmitari: Me aq sa më kujtohet në atë kohë i ka raportuar direkt zonës operative të Llapit, shtabit të zonës.
Pas këtyre përgjigjeve në seanca publike, me kërkesë të prokurores së ZPS-së seanca gjyqësore ka vazhduar në sesion të mbyllur.
Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve edhe sot po vazhdon marrja në pyetje nga ZPS-ja.
Ndërsa, dëshmitari i tetë i mbrojtur i ZPS-së dëshminë e tij në Hagë e ka nisu qysh nga dje. Ndërkaq gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës. Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020./