Ngacmimet seksuale në Kosovë paraqiten me shifra mjaftë të larta në raportin e Policisë së Kosovës, të siguruar nga Gazeta Enigma. Nuk janë të pakta rastet kur viktima të këtyre sulmeve janë të miturit, e abuzues janë persona të moshës madhore.
Por si komentohet ky fenomen nga psikologu dhe cilat janë shifrat e sakta të rasteve të raportuara, Gazeta Enigma iu sjell detaje.
Ditë më parë, u raportua për një ngjarje të rëndë që ndodhi në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në Deçan, ku mësimdhënësi Valentin Selmanaj është filmuar fshehurazi duke e puthur një nxënëse të klasës së shtatë.
Përveç arrestimit, Selmanaj është suspenduar nga puna dhe ndaj tij kanë nisur hetimet, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm seksual”.
Prokurori i shtetit ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje penale, dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit, derisa rasti mbetet ende nën hetime.
Raste të ngjajshme të ngacmimeve seksuale janë bërë publike disa herë. Ofrimi i materialeve pornografike ndaj personave nën moshën 16 vjeçare, një 63-vjeçar i cili kishte ngacmuar seksualisht disa nxënëse të mitura të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” duke ekspozuar organin gjenital, dhunimi i një të miture nga një burrë i moshes madhore në Gjilan, dhunimi i 13 vjeçares nga një 36 vjeçar në Lipjan, e rasti i 11 vjeçares nga Prishtina që u dhunua nga disa persona, janë vetëm disa nga rastet kur viktima të sulmeve seksuale janë të miturit.
Duke u bazuar në rastet e shpeshta të ngacmimeve seksuale ndaj të miturve, Gazeta Enigma ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të parë numrin e saktë të ngacmimeve seksuale të raportuara në këtë institucion.
Nga Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur se, për vitin 2022 janë evidentuar gjithsej 69 raste të sulmeve seksuale dhe në periudhën janar-maj të vitit 2023 janë evidentuar 27 raste.
Megjithatë, nga Policia, nuk kanë specifikuar sa prej këtyre rasteve janë sulme seksuale ndaj të miturve, sepse sipas Bajram Krasniqit, zyrtarë për informim në Policinë e Kosovës, të dhënat sistemohen si të përgjithshme dhe duhet pasur leje të veçantë për tu qasur në raste specifike, ku ndodhen të dhëna si mosha dhe detaje tjera të rasteve.
Mirëpo, në një deklaratë në fund të vitit 2022, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndër të tjera kishte deklaruar se: “Nga janari deri tani, në raport me dhunimet seksuale, 80 përqind e tyre janë ndaj vajzave të mitura apo të miturve në përgjithësi”, duke konfirmuar kështu numrin alarmant të këtyre rasteve.
Gazeta Enigma, ka kontaktuar me psikologun Rron Kastrati, për të komentuar këtë fenomen shqetësues dhe për të kuptuar shkaqet dhe pasojat e një vepre të dhunimit seksual.
Psikologu Kastrati, e thekson se zakonisht ngacmimet sekusale ndaj të miturve, derivojnë nga ngacmimet verbale dhe ngacmimet fizike.
“Sulme seksuale ndaj të miturve, konsiderohet kur një i mitur është i abuzuar fizikisht, emocionalisht, psikologjikisht dhe ka qenë e pamundur për të, të shmanget dhe është qarkuar në një zonë, qoftë periferike të qytetit apo të fshatit, nga një dhunues i cili keqtrajton apo abuzon seksualisht një të mitur”, ka thënë Kastrati.
Sipas tij, sulm seksual cilësohet poashtu, kur një i mitur ‘me fjalë mjaftë të tepruara e përkëledhëse stimulohet që të i vie pas një të rrituri, një personi potencialisht të rrezikshëm për atë të mitur, me predispozita apo me karakterisitka pedofilike’, duke shtuar se, persona të tillë mund të sulmojnë seksualisht të miturit por me tendenca manipulative, me manovra të tilla sa që, i mituri mund të krijojë bindjen – gjoja të vërtëtë, se një i rritur po mundohet ta ndihmojë, këshillojë ose udhëzojë.
I pyetur se cilat mund të jenë arsyet kryesore që shtyjnë tek sulmet seksuale ndaj të miturve, psikologu ka renditur një numër faktorësh social por edhe ata psikologjik e individual.
“Arsyet kryesore janë: ndërprerja e mësimit, problemet apo tensionet familjare, konfliktet prindërore, divorcet. Njëkohësisht, po flasim për faktorë që nxisin fëmiun të izolohet apo të largohet nga shtëpia, të ndërpresë mësimin, e të bie në mënyrë krejtësisht të pavullnetshme preh apo viktimë e ngacmimeve seksuale” ka theksuar ai.
Sipas tij, arsyet krysore që shtyjnë tek sulmet sekuale ndaj të miturve, veçanërisht nga të rriturit të cilët potencialisht njihen si dhunues dhe abuzues, janë çrregullime të personalitetit, çrregullimet epshore, çrregullimet psiko-patologjike mendore, ngecjet apo zhvillimet e vonura mendore, pedofilët e perversët, të gjithë këta, potencialisht, mund të sulmojnë seksualisht një të mitur, ka theksuar Kastrati.
Psikologu Rron Kastrati, është pyetur gjithashtu edhe për atë se si mund të e kuptojnë prindërit ose kujdestarët e të miturve që ata kanë qenë viktimë e ngacmimit seksual.
Me këtë rast, ai ka thkesuar se ndryshimet në sjelljen e fëmiut mund të shpien prindërit të kuptojnë se fëmija i tyre ka mundur të jetë viktimë e ngacmimeve seksuale.
“Nga reagimet socio-emocionale të fëmijëve, nga marrëdhëniet psikologjike që kanë fëmijët me prindërit, nga ndjesitë ankthioze, nga reagimet e ashpra, ose nga mënyra se si fëmiu sillet krejtësisht i pazakontë duke krahasuar sjelljet e tij nga ato të mëparshmet, nga frika e shpeshtë, nga frikërat e panatyrshme të cilat befasisht bëhen pjesë e veprimtarisë sjellore të fëmiut, njëkohësisht, prindërit dhe kujdestarët mund ta kuptojnë tek të miturit, i/e cila refuzon daljen jashtë, qëndron e vet-izoluar, komunikon në mënyrë krejtësisht të reduktuar, me fjali të shkurtura, me fjalë të ndërprera, nuk ndjen guximin të tregoj ngjarjen, frikën apo abuzimin që ka perjetuar, ngjarjen tronditëse, dhe të gjitha këto, shpien prindin të dyshojë në gjendjen psiko-logjike, pra, mendore e shpirtërore të fëmiut”, tha ai.
Psikologu Kastrati, si masë parandaluese që të miturit të mos jenë viktimë e sulmeve seksuale, ka theksuar se raporti me prindërit dhe monitorimi i rregullt i aktiviteteve edukativo-arsimore, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces.
“Komunikimi i vazhdueshëm dhe mjaft atashues i prindërve në raport me fëmijët apo të miturit, monitorimi javor i proceseve edukative-arsimore në shkolla apo në mjedise ku përfitojnë nga nxënia e mësimit apo edukatës, në kopshte, në çerdhe, gjithashtu interesimi i vazhdueshëm i gjendjes së tij psikologjike dhe mjekësore, përfshirja e fëmiut në aktivitete psiko-sociale, ne aktivitete argëtuese, në aktivitete inovative, këto të cilat shërbejnë që fëmiu të zhvillojë apo të forcojë vet-efikasitetin e tij kreativ dhe vet-besimin e tij sjellor e psikologjik, në çdo lloj përmase”, theksoi ai.
Sipas psikologut Kastrati, fëmijët gjithashtu, duhet të informohen për rreziqet të cilat mund të i kanosen, përmes një qasje psiko-edukative duke e ndërgjegjësuar fëmiun të i njohë rreziqet, t’i dallojë mirë gjërat dhe të jetë në kontakt të pandërprerë me prindin, e prindi pastaj me fëmiun të gjitha ato shqetësime t’i bart në institucionet përkatëse. /Gazeta Enigma