Ndërkohë që KQZ po vazhdon me numërimin e kandidatëve për deputetë nëpër komuna të ndryshme të vendit, e njëjta nuk ka numëruar ende 100% të votave të partive.
Përditësimi i fundit i të dhënave të procesuara nga KQZ-ja është bërë tre ditë më parë, më 12 shkurt, ku janë numëruar në total 99.72%.
Në numërim janë edhe 8 vendvotime gjithsej në vend në komunat: Gjilan (3), Klinë (2), Prizren (1) dhe Deçan (1).
Në Gjilan e Prizren tashmë, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar bindshëm këto komuna dhe rezultati nuk do të mund të ndikojë për vendin e parë, ndërkohë që në Klinë PDK (27.60) prin vetëm me 217 vota përpara LVV-së (26.21%) kur janë numëruar 96.77% nga 60 prej 62 vendvotimeve.
Deçanin e ka fituar bindshëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku pas 49 vendvotimeve nga 50 të numëruara, apo 98%, AAK prin me 50.82%, e ndjekur nga LVV me 22.46%.
E ndërsa KQZ është ‘bllokuar’ në arritjen e numërimit të 100% të votave, numërimi i kandidatëve për deputetë tashmë ka filluar që disa ditë dhe po vazhdon në komuna të ndryshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje njoftoi se ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve në 5 komuna dhe do të vazhdojë në 29 të tjera.
KQZ të premten pasdite njoftoi se numërimi i votave për kandidatët për deputetë ka përfunduar në komunat e Hanit të Elezit, Shtërpcës, Parteshit, Ranillugut dhe Junikut.
Sipas KQZ-së, është duke vazhduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat e ndryshme të Kosovës.
KQZ-ja ka njoftuar se gjatë ditës procesi i numërimit të votave të kandidatëve ka filluar edhe në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Dragash, Istog, Rahovec, Pejë, Podujevë, Klinë, Malishevë dhe Graçanicë.
Numërimi në komuna ka filluar sipas këtyre datave:
• 11 shkurt 2025 – Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh;
• 12 shkurt 2025 – Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot, Mitrovicë e Veriut dhe Han i Elezit;
• 13 shkurt 2025 – Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Kaçanik, Novobërdë, Prizren, Shtime dhe Junik.
Në QKN-të e komunave Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mamushë, nuk ka filluar ende numërimi, por për këtë do të ketë njoftim me kohë.