U raportua se ish-nënkryetari i Skënderajt, Nuredin Lushtaku, së bashku me disa familjarë të tij u përfshi në një konflikt mbrëmë në Skënderaj, ku mbetën të plagosur dy policë. Për këtë rast, Lushtaku është prononcuar për dy media.
Në një prononcim për RTV Dukagjini, Nuredin Lushtaku, ka deklaruar sot se ndodhet në stacionin policor dhe se nuk do të jap detaje deri në përfundim të hetimeve nga policia.
Ndërsa, për Kallxo.com, Nuredin Lushtaku, ka mohuar të ketë përdorë armë ai, djemtë ose vëllëzërit e tij në drejtim të zyrtarëve policor.
Sipas tij, polici e ka plagos policin.
“S’është ashtu hiç. Por aksidenti ka ndodhë, ka ndodhë telashja, as nuk e kam plagos unë kë, as nuk e kanë plagos vëllaznia, as djemtë. Polici e ka plagos policin. As nuk kemi përdorë armë na, e them me përgjegjësi të plotë. Mbetet me raportu edhe policia. Unë e kam dhënë deklaratën, unë jam i gatshëm me deklaru çka ka qenë. Polici ua ka drejtu armën vëllaznive, ka ndodhë përleshja. Nuk e di a ka gjujtë me tut kë a me vra, e din ai çka thotë. Unë e kam dhënë deklaratën tem, policin nuk e kemi plagos na. Më vjen keq çfarë ka ndodhë, por kjo është e vërteta, nuk kemi plagos askënd, nuk kemi përdorë armë”, tha Lushtaku për Kallxo.com.
Policia e Kosovës ka konfirmuar plagosjen e dy zyrtarëve policorë, mbrëmë në orët e vona në Skënderaj. Njëri polic është plagosur me armë zjarri e tjetri është lënduar me mjete të forta.
Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona, ndërsa dy të tjerë ndodhen në arrati, ka konfirmuar policia.
Nuk dihet se kush nga personat e përfshirë në konflikt është prangosur.
Policët janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa motivi i plagosjes së dyfishtë dyshohet se ka të bëjë me shqiptimin e një gjobe në trafik.
Njoftimi i plotë i policisë:
Me datë 02.07.2022, rreth orës 23:55, është raportuar se në Skenderaj gjatë një pike të kontrollit janë sulmuar dy zyrtarë policorë, njëri është i plagosour me armë zjarri në këmbë dhe tjetri është i lënduar nga mjetet e forta.
Të dy zyrtarët policorë janë jasht rrezikut për jetë, të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtim mjeksorë.
Deri në këtë fazë dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë ndodhen në kërkim nga Policia.
Lidhur me rastin janë duke u ndermarr veprime operative dhe hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante. /Gazeta Express/