Deputeti dhe lideri i partisë ekstreme serbe “Dverit” Boshko Obradoviq ka kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që këtë herë të mos negociojë apo të nënshkruajë asgjë në Bruksel derisa të mbahet seanca e posaçme e Kuvendit të Serbisë për çështjen e Kosovës, transmeton portali serb “Nova S”.
“Unë besoj se politika aktuale e regjimit në pushtet ndaj Kosovës ka dështuar dhe është tejkaluar. Negociatat në të cilat vazhdimisht jepet diçka dhe nuk fitohet asgjë, kanë humbur çdo kuptim. Negociatat për statusin e “Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, e cila është pjesë përbërëse e Serbisë sipas Kushtetutës sonë dhe sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, janë gjithashtu të tepërta”, ka pretenduar nacionalisti serb Obradoviq.
Ai ka përsëritur se lëvizja serbe “Dveri” tashmë ka propozuar një platformë të re për Kosovën në 10 pika, e cila kërkon ndërprerjen e negociatave në Bruksel dhe kthimin e temës së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku Serbia ka aleatë Rusinë dhe Kinën, dhe po ashtu insiston në rikthimin e Ministrisë për Kosovën në qeverinë e re të Serbisë.
“Kryetari i PPS-së dhe i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gabon që shkon sërish në Bruksel për negociata me “autoritetet separatiste” pa një platformë të përbashkët negociuese të miratuar në Kuvendin e Serbisë. Nëse ka një konsensus kombëtar për këtë çështje kyçe shtetërore, e për çka angazhohet lëvizja serbe e “Dveri”, kjo vetëm do të forcojë pozicionin e tij të ardhshëm negociator dhe politikën shtetërore ndaj Kosovës”, ka pretenduar Obradoviqi në një deklaratë.