Oda e Avokatëve kundërshton ATK-në: Kërkesa për të dhëna konfidenciale cenon pavarësinë tonë

Oda e Avokatëve kundërshton ATK-në: Kërkesa për të dhëna konfidenciale cenon pavarësinë tonë

Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar të shtunën pasdite pas një kërkese që thotë se e ka marrë nga Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës i Administratës Tatimore të Kosovës.

Sipas OAK-së, nga ky departament është kërkuar që qindra avokatë të dorëzojnë sasi të madhe të dhënash, përfshirë informata konfidenciale për klientët, raporte me përmbarues privatë, pasqyra financiare e të dhëna nga bashkëpunimet për periudhën 2019-2024.

Në një reagim të publikuar në Facebook, kjo odë e ka quajtur kërkesën në shpërputhje me parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, cenim të pavarësisë së profesionit të avokatit dhe veprim arbitrar të paarsyetuar ligjërisht.

“Në përmbajtje dhe në formë, ajo më shumë ngjan me një gjueti shtrigash sesa me një procedurë tatimore të mbështetur në ligj”, thuhet në reagim.

Oda e Avokatëve ka thënë se avokatët paguajnë tatim dhe se kërkojnë siguri, trajtim dinjitoz e respektim të rolit të tyre.

“Është e papranueshme që për shkak të një hetimi të paqartë që mund të ketë në fokus përmbarues të caktuar, të kërkohet me automatizëm që mbi 700 avokatë në gjithë territorin e Kosovës të trajtohen si objekt i dyshimit apo presionit hetimor. Ironikisht, në listën e shpërndarë për dorëzim të të dhënave ndodhen edhe avokatë që më nuk jetojnë. Kjo nuk është vetëm shkelje procedurale, kjo është një formë e re e ndërhyrjes sistematike në pavarësinë e avokatisë, e cila në çdo vend demokratik përbën vijë të kuqe”, thuhet në reagim.

Oda e Avokatëve ka thënë se nuk ka bazë ligjore për kërkesën e këtij lloji nga ATK-ja.

OAK-ja është zotuar se do t’i drejtohet me kërkesë për sqarime drejtorit të ATK-së, ministrit të Financave dhe kryeprokurorit të shtetit.  

Related Articles