Oda Ekonomike dorëzon padi kundër ZRRE-së lidhur me tregun e lirë të energjisë

Oda Ekonomike dorëzon padi kundër ZRRE-së lidhur me tregun e lirë të energjisë

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) njoftoi të hënën se e ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një padi kundër rregullatorit të energjisë në vend, duke e akuzuar për disa shkelje, përfshirë “moszbatimin” e vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me tregun e lirë të energjisë.

OEK tha në Facebook se i paditi kryesuesin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu, si dhe anëtarët e bordit të saj.

Ajo i akuzon ata për shkelje si “mosekzekutimin e vendimit gjyqësor, keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, shkeljen e detyrimit zyrtar, mashtrimin në detyrë, cenimin e interesit ekonomik publik”.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme i shfuqizoi dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se ato kishin krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike në vend.

Ajo erdhi në përfundim se kufiri ndërmjet konsumatorëve që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që janë të detyruar të kalojnë në tregun e lirë, nuk është përcaktuar në mënyrë të qartë dhe të parashikueshme.

Ajo gjeti gjithashtu se disa dispozita të udhëzuesve të ZRRE-së nuk përputheshin me ligjin për energjinë elektrike në Kosovë, dhe direktivat e Bashkimit Evropian për energjinë.

Pas vendimit, OEK-i tha se i kërkoi rregullatorit të energjisë të fillojë ta zbatojë aktgjykimit e Supremes dhe t’i kthejë në furnizim me çmime të rregulluara bizneset e futura “me dhunë” në tregun e lirë.

“Dorëzimi i kallëzimit mbështetet në aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Supreme, dokumentet dhe komunikatat zyrtare të ZRRE-së, si dhe materialet që dëshmojnë dëmin ekonomik të shkaktuar”, tha OEK.

Në qershor, rregullatori i energjisë i detyroi të gjitha bizneset e mëdha në vend – me mbi 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të dalin në treg të lirë të energjisë.

Kjo do të thotë se këto biznese nuk furnizohen më çmime të rregulluara pra në tregun universal, por blejnë energjinë sipas ofertave të kompanive private, të licencuara për tregtim.

Sipas ZRRE-së, në këtë proces janë të përfshira rreth 1.300 biznese, që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme.

Komuniteti i biznesit e ka kundërshtuar vendimin, përfshirë përmes protestave, duke e vlerësuar të dëmshëm për shkak të çmimeve të larta që po ofrojnë furnizuesit e licencuar.

Në total 27 kompani janë të licencuara për tregtim me energji elektrike – dhe tri të tjera në proces licencimi.

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë i ka goditur rëndë bizneset prodhuese, duke rritur ndjeshëm kostot dhe duke kufizuar mundësitë e tyre për zgjerim dhe punësim.

Related Articles