Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka paralajmëruar se do të ushtrojë kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për “moszbatim t vendimit të saj për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë të bizneseve”.
Vendimi sipas tyre shfuqizon dispozitat kyçe të udhëzuesve për liberalizim dhe konstaton pavlefshmërinë e aktit njoftues.
“Oda Ekonomike e Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për mënyrën se si Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka keqinterpretuar publikisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025, duke tentuar të zbehë efektin e tij juridik. Ky vendim është i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.
Sipas OEK-ut komunikata e ZRRE-së e datës 18.11.2025, pas vendimit të Supremes, tenton ta relativizojë këtë vendim, siç thuhet, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme.
“OEK-u thekson se: Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik. Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës. Bizneset janë dëmtuar rëndë nga një proces i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm”, thuhet në komunikatë.
Tutje thuhet se “rritja e çmimit të energjisë, kontratat e imponuara, depozitat e pajustifikuara dhe rënia e konkurrueshmërisë ekonomike janë pasoja direkte të kësaj shkeljeje ligjore”.
