Oda Ekonomike e Kosovës, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të sektorit privat, i është drejtuar me një letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në lidhje me zhvillimet e fundit globale që parashikojnë rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Në të i bëhet thirrje Qeverisë në detyrë që të kërkojë nga ZRrE-ja anulimin e vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë.
“Duke pasur parasysh se shumë qeveri të shteteve evropiane tashmë kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të mbrojtur ekonomitë e tyre përmes subvencioneve dhe mbështetjes direkte për bizneset, kërkojmë që edhe Qeveria e Kosovës të ndjekë këtë shembull dhe të ndërmarrë veprime konkrete në mbështetje të sektorit privat”.
“Në këtë kontekst, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të subvencionojë sektorin privat dhe të kërkojë nga ZRrE anulimin e vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë, me qëllim të mbrojtjes së prodhimit vendor, bizneseve, qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.
