Dhjetëra organizata në Kosovë janë bashkuar për të reaguar kundër deklaratave të deputetit të Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, në lidhje me deklaratat e tij të djeshme rreth Projektkodit Civil.
Në reagimin e 37 organizatave të cilat për qëllim kanë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, deklaratat e Rrahmanit janë cilësuar si “një hap të rrezikshëm në luftën për barazi dhe të drejta të njeriut në Kosovë”, pasi sipas tyre, të njëjtat “i shtrembërojnë vlerat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke promovuar diskriminim dhe pabarazi”.
Rrahmani, në fjalën e tij dje kur njoftoi dorëheqjen nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se këtë ai dhe deputeti Visar Korenica po e bëjnë shkaku i synimeve të mazhorancës për të kaluar Draft Kodin Civil, i cili ndër të tjera parasheh regjistrimin e bashkëjetesës mes personave të së njëjtës gjini.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga gjinia, seksi, orientimi seksual, mosha etj. Retorika e përdorur nga këta deputetë dhe aktivistë politik që pretendojnë se disa ligje, përfshirë ato që mbështesin të drejtat e grave, të fëmijëve, të drejtat e personave LGBTIQ+, janë ‘të papranueshme për vendet evropiane’ është jo vetëm e pasaktë, por edhe nxitje e urrejtjes, mosdurim dhe në kundërshtim me vlerat e të drejtave të njeriut dhe barazisë që Kosova është zotuar se do t’i garantoj duke i integruar konventat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut në Kushtetutën e saj”, thuhet në reagimin e OJQ-ve.
“Si organizata të përkushtuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut, ne i dënojmë fuqishëm këto deklarata, të cilat shtrembërojnë vlerat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke promovuar diskriminim dhe pabarazi. Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga gjinia, seksi, orientimi seksual, mosha etj”, është thënë tutje në reagim.
“Retorika e përdorur nga këta deputetë dhe aktivistë politik që pretendojnë se disa ligje, përfshirë ato që mbështesin të drejtat e grave, të fëmijëve, të drejtat e personave LGBTIQ+, janë “të papranueshme për vendet evropiane” është jo vetëm e pasaktë, por edhe nxitje e urrejtjes, mosdurim dhe në kundërshtim me vlerat e të drejtave të njeriut dhe barazisë që Kosova është zotuar se do t’i garantoj duke i integruar konventat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut në Kushtetutën e saj”.
“Kosova duhet të vazhdojë të ndërtojë një shoqëri që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht nga gjinia, seksi, mosha, orientimi i tyre seksual, identiteti gjinor etj. Mbrojtja e të drejtave të grupeve të cenueshme është në përputhje me standardet evropiane të të drejtave të njeriut, të cilat Kosova i ka përqafuar si pjesë e rrugës së saj drejt integrimit evropian. Garantimi i këtyre të drejtave është shenjë e progresit dhe gjithëpërfshirjes, e jo e regresit dhe përçarjes”.
Organizatat po ashtu u bënë thirrje të gjitha partive politike, Komisionit Qendror Zgjedhor, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve kompetente “që të qëndrojnë në detyrën e tyre kushtetuese dhe ligjore në mbrojtje të vlerave të Kushtetutës së Kosovës.
“U bëjmë thirrje këtyre akterëve që të refuzojnë retorikën përçarëse që synon të margjinalizojë personat grupet e cenueshme dhe të minojë vlerat kushtetuese të barazisë dhe drejtësisë”. /Gazeta Enigma