Rreth 33,000 fëmijë tejet të kequshqyer në rajonin Tigray të Etiopisë janë në rrezik të lartë të vdekjes, ka thënë Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF).
Ky rajon është shkatërruar nga luftimet në mes të forcave qeveritare dhe rebelëve, dhe prej kur kanë nisur luftimet në nëntor të vitit 2020, janë shpërnguluar 1.7 milion persona.
Një studim i përkrahur nga Kombet e Bashkuara, i publikuar të enjten, ka gjetur se 353,000 persona në këtë rajon janë duke jetuar në “krizë të madhe”.
Qeveria e Etiopisë ka hedhur poshtë të dhënat, duke thënë se ndihmat janë duke depërtuar në atë zonë.
Sipas raportit, situata me ushqim në këtë rajon ka arritur në nivele “katastrofike”, andaj UNICEF ka bërë thirrje që të ketë qasje në këtë rajon për dhurim të ndihmave humanitare.
“Ndonëse shifra 353,000 nuk e përmbush pragun e nevojshëm (20 për qind të popullsisë së anektuar) për të shpallur deklaratë zyrtare për uri, le të mos luajmë me fjalë, kur njerëzit janë duke vdekur”, ka thënë zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder të premten.
Rreth 33,000 prej tyre janë fëmijë dhe foshnjat janë në rrezik të madh për të vdekur nga kequshqyerja, ka thënë kjo Agjenci.