Pesë persona janë arrestuar nga policia në operacionin Anti-drogë të zhvilluar sot në Mitrovicë dhe Fushë Kosovë.
Në këtë aksion janë konfiskuar 56 kilogramë “Marihuanë”.
Sipas njoftimit droga dyshohet se ishte futur nga Shqipëria për në Kosovë.
“Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokuroritë kompetente, ku pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar personat e dyshuar të cilët dyshoheshin se në bashkëveprim trafikonin narkotikë, nga Shqipëria në Kosovës dhe pastaj për destinim jashtë Kosovës”.
“Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore fillimisht në lagjen Uglar të Fushë Kosovës është identifikuar i dyshuari (transportieri) i parë (S.B,) i cili drejtonte një veturë të tipit Mercedes, me të cilën transportonte substancën narkotike të fshehur në bunkerin e modifikuar të veturës”.
“Më pastaj përmes Pikës Kufitare Vërmicë ka hyrë edhe i dyshuari i dytë (B.R,) me veturën e tij po ashtu të tipit Mercedes, i cili ka vazhduar në drejtim të Mitrovicës Jugu ku e priste personi i tretë (N.M,), me të cilin kanë vazhduar në shtëpinë/garazhin e të dyshuarit e cila gjendej në fshatin Vaganicë”.
Në cilësi të provave janë konfiskuar tre vetura të llojit “Mercedes”, shtatë telefona celularë, dhe para në vlerë mbi 10 mijë euro.
“56 kilogramë 81 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë, tre vetura të tipit Mercedes (dy me targa te Shqipërisë një me targa vendore, që të tria me bunker të modifikuar në të njëjtën mënyrë), shtatë telefona celularë , 10 mijë e 507 euro si dhe disa monedha Lek te Shqipërisë dhe Denar te Serbisë”./Gazeta Enigma/