Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar qeverinë e Ministrinë e Shëndetësisë që neglizhoi rastin e helmimit të qytetarëve të kësaj komune, raporton Gazeta Enigma.
Ai ka thënë se reagimi i qeverisë ka qenë shumë i vonshëm në këtë rast, derisa ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti që nuk ka qenë në Kosovë gjatë kësaj kohe.
“Është e rëndë mospërgjegjësia e qeverisë, neglizhenca ose dyftyrësia në qasjen që kanë ndaj qytetarit në raport me gjendjen shëndetësore. Në momentin kur qeveria u zgjua, kaloi numri 900. Kryeministri më shumë ishte i interesuar të ligjëroj atje për Aristotelin e Platonin”.
Por deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, ka lavdëruar qeverinë për ndihmën që i është dhënë qytetarëve të Deçanit.
Përkundër ankesave për reagim të vonshëm të qeverisë e Ministrisë së Shëndetësisë, Kollçaku ka thënë se qeveria dhe institucionet e tjera kanë dhënë mbështetje dhe kanë qenë në dispozicion të banorëve të Deçanit.
“Kemi pasur një përgjigje sistematike institucionale. Jo vetëm që kjo Ministri e Shëndetësisë menjëherë u kordinua me institucionet tjera, por gjeti mbështetjen e plotë nga kabineti qeveritar për të pasur në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme. Ministria e Shëndetësisë dhe ministritë tjera kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale. Fluksi i pacientëve që kërkojnë ndihmë ka rënë. Gjendja e pacientëve është më stabile, dhe po vazhdon furnizimi me barna dhe materialet e nevojshme”.
Kollçaku është shprehur se do të punohet që të parandalohen situata të tilla në të ardhmen.
“Në asnjë moment nuk keni qenë vetëm. Ju keni prapa qeverinë dhe gjithë ekspertët që do të punojnë që të parandalohen shpërthime të tilla epidemike”./Gazeta Enigma/