Opozita në Serbi thotë se Vuçiq të hënën në Bruksel do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore me Kosovën

Opozita në Serbi thotë se Vuçiq të hënën në Bruksel do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore me Kosovën

Deputetët e opozitës në Serbi e kanë akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq se të hënën në Bruksel do të nënshkruajë marrëveshje ndërshtetërore, ku do të duhet të deklarohet për planin evropian për Kosovën.

Deputetja e partisë opozitare “Dveri”, Tamara Milenkoviq Kerkoviq, tha në seancën e  Kuvendit të Serbisë se Vuçiq do të nënshkruajë në Bruksel “marrëveshjen e parë bazë bilaterale ndërkombëtare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Sipas saj, me këtë Marrëveshja e Brukselit humbet rëndësinë e saj dhe vihet në pikëpyetje qëndrimi i vendeve që nuk e njohin Kosovën si të pavarur.

Siç raportojnë mediat serbe, ministri i Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, ka thënë se “është gënjeshtër se Vuçiq do të nënshkruajë marrëveshje mes dy vendeve”, duke thënë se “presidenti i Serbisë gjatë seancës së fundit parlamentare disa herë ka deklaruar se kurrë nuk do të njohë Kosovën, sepse është pjesë integrale e Serbisë”, transmeton Telegrafi.

Deputeti i Partisë së Re Demokratike të Serbisë, Zoran Stojanoviq, duke lexuar preambulën e Kushtetutës, ku flitet për Kosovën, tha se “as 100 miliardë investime gjermane nuk vlejnë sa një metër i Kosovës”.

Deputetja e Partisë Progresive Serbe, Natasha Jovanoviq, ka thënë se preambula për Kosovën në Kushtetutë është miratuar falë radikalëve, anëtare e të cilëve edhe ajo, dhe ka akuzuar ish-qeverinë se nuk ka bërë asgjë kur Kosova shpalli pavarësinë.

Related Articles