Në Shqipëri, ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, në ora 17:00 ka nisur bllokimi i akseve kryesore të vendit nga Veriu në Jug.
Sipas mediave atje, në Tiranë kanë dalë edhe deputetë të opozitës duke bllokuar ish-sheshin “Shqiponja”.
Ndërkaq, edhe aksi Tiranë – Durrës dhe Durrës – Tiranë në autostradë është bllokuar nga protestuesit.
Janë bllokuar edhe rrugët nga Lushnja në Rrogozhinë dhe aksi paralel nga Durrësi në Rrogozhinë.
Siç raporton A2cnn disa qytetarë janë ulur këmbëkryq në mes të autostradës, duke bllokuar lëvizjen në krahun nga Lezha në drejtim të Tiranës, transmeton Gazeta Enigma.
Ka një numër më të madh protestuesish në këtë pikë që janë bashkuar nga qarku Shkodër, Lezhë dhe Kukës, ndërkohë që qytetarët nga Kurbini dhe Tropoja pritet që të bllokojnë anën tjetër të rrugës nga Tirana drejt Shkodrës dhe Lezhës.
Opozita ka paralajmëruar se do të bllokojë 6 akset kryesore rrugore.
Forcat e rendit ndodhen në pikat strategjike të protestës.
PD ka paralajmëruar se rrugët do të zhbllokohen në orën 20:00.
Protesta e kësaj të hëne është në vazhdën e tubimeve që Partia Demokratike ka zhvilluar prej burgosjes së deputetit Ervin Salianji dhe gjatë së cilave është bërë thirrje për qeveri teknike. /Gazeta Enigma