Më 11 korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, përmbajtja e të cilit po vlerësohet e rrezikshme për lirinë e medias, nga akter vendor por edhe organizata ndërkombëtare, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas kritikëve, përmes këtij Ligji, Qeveria po tenton t’i kontrolloj mediat, dhe shtyp fjalën e lirë. Gjë e cila shkel direktën e Lirisë Universale të Medias.
E për ta kundërshtuar këtë projektligj, Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexhaj, dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë shprehur kanë dorëzuar komentet e përbashkëta ndaj Ligjit për KPM-në, në Gjykatën Kushtetuese.
Gëzim Shala, monitorues nga Instituti Kosovës për Drejtësi(IKD), tha për Gazetën Enigma se Ligji për KPM-në, e shkatërron pavarësinë e saj.
“IKD ka publikuar analizën “Politizimi i KPM”, e cila analizë vjen në përfundim se Ligji për KPM-në e shkatërron tërësisht pavarësinë e një institucioni të pavarur Kushtetues siç është KPM-ja, duke e kthyer atë në një institucion lehtësisht të kontrolluar nga politika”, tha ai.
Shala tregoi edhe se si ky Ligj e mundëson kontrollimin e saj nga akterët politik, që janë shumicë parlamentare.
“Lehtësia e kontrollimit nga politika bëhet në disa drejtime, fillimisht ka një procedurë ku numër shumë i ulët mund të zgjedhen anëtarë të KPM-së, në mënyrë që secila qeveri të mund të zgjedhë anëtarët e saj. Mirëpo, problematikë më e madhe është fakti i shkarkimit të tyre. Ligji kalon në baza të pakuptueshme që cenon sigurinë juridikë të anëtarëve, dhe që i politizon skajshmërisht. P.sh, njëra prej bazave për shkarkim është nëse anëtarët e Komisionit Parlamentar e humbin besimin mbi integritetin e anëtarëve të KPM-së, mund të iniciohet procedura e shkarkimit. Në anën tjetër, është përcaktuar që Kuvendi do ta zgjedhë edhe kryetarin e KPM-së e cila paraqet një kompetencë “natyrore” qe e kanë organet kolegjiale, e cila privon nga liria këtë institucion” tha Shala.
Tutje, Shala tha se bazuar në aktgjykimet e mëherëshme rreth ligjeve për Institucione e Pavarura Kushtetuese, ky ligj duhet rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese
“Gjykata Kushtetuese në të kaluarën e ka trajtuar pavarësine e Institucioneve të Pavarura Kushtetuese, duke theksuar se nevojitet një pavarësi ligjore dhe faktike, ku të njejtin mund të operojnë në bazë të kësaj të drejte. Fatkeqsisht, përkundër gjitha këtyre, me këtë ligj, KPM-së i shkatërrohet pavarësia e përcaktuar me Kushtetutë.
Nësë I referohemi aktgjykimeve të mëhershmë të Gjykatës Kushtetuese, ky ligj e cenon pavarësine e këtij institucioni, dhe është e domosdoshme që GjK ta thotë fjalën e fundit rreth këtij ligji”, përfundoi Shala në prononcim për Gazetën Enigma.
Çka ndodhi sot?
Pas dorëzimit të komenteve të përbashkëta në Gjykatën Kushtetuese, Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se shpreson që ligji në fjalë të shfuqizohet në tërësi, sipas tij, nuk është në një frymë me Kushtetutën dhe lirinë e mediave.
“Kjo që ka ndodhur dhe diskutimi brenda gjykatës që do të ndodh për këtë ligj, është i një rëndësie absolutisht i historike për shkak se për herë të parë do të merret një vendin për një ligj kaq të rëndësishëm sa i përket lirisë së medias”.
“Besojmë se edhe komentet tona por edhe të palëve të tjera do ta bindin shpresojmë Gjykatën Kushtetuese se ligji është antikushtetues dhe ai të shfuqizohet në tërësi, pasi që vet inicimi i tij dhe mënyra si është hartuar, dhe çka përmban janë në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe lirisë universale të medias”, ka thënë Rexha.
Ndërsa, juristja e mediave, Flutura Kusari, ka treguar rëndësinë e komenteve që kanë dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin e Komisionit të Pavarur për media, bashkë me përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Në një konferencë për media, ajo ka theksuar se kërkuan që të shfuqizohen disa nene që bien ndesh me Kushtetutën.
“Ne dorëzuam komentet në të cilat argumentojmë se procedura sesi është bërë ligji dhe disa nene që kanë të bëjnë me rregullimin e funksionimit të KPM-së bien ndesh me disa nene të Kushtetutës, por në veçanti bien ndesh me parimin e barazisë gjinore, me lirinë e medias dhe me pavarësinë e KPM-së”.
“Kemi argumentuar se disa prej neneve duhet të shfuqizohen, mirëpo po ashtu, nëse këto nene shfuqizohen Ligji nuk mund të mbijetojë për shkak se bëhet i pazbatueshëm në praktikë, andaj shpresojmë se do të shfuqizohet në tërësi”, ka thënë Kusari.
Çka parasheh ligji për KPM-në?
Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.
Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.
Gjoba prej 500-20 mijë euro, sipas draftit mund të dyfishohet ndaj subjektit juridik në rastet kur personi kryen në mënyrë të përsëritur këto shkelje:
1.Kur në mënyrë të përsëritur shkakton interferenca të dëmshme ndaj një subjekti tjetër;
2. Transmeton ose ritransmeton përmbajtje që nxisin urrejtje, dhunë dhe trazira;
3. Transmeton ose ritransmeton përmbajtje që cenon rendin dhe sigurinë publike
4. Transmeton, ritransmeton ose shpërndan në mënyre ilegale të përmbajtjeve programore
5. Nuk dorëzon në afat raportin vjetor në KPM.
Përpos kontrollit të prodhimeve audiovizuele në online ligji synon të rregullojë edhe çështjet e deklarimit të pronësisë dhe çështjet e ndryshimit të pronarëve të platformave të video materialeve dhe mediave online të regjistruara.
Ligji parasheh që platformat për shpërndarjen e videove dhe mediat online të publikojnë transparencën e pronësisë dhe përfituesit e fundit.
Në këtë situatë këto subjekte do obligohen të tregojnë që kush janë pronarët finalë të tyre.
Po ashtu ligji parasheh ndalesa për koncentrimin e pronësisë në mediat e licencuara.
Kjo i hapë rrugë ndalesave që një pronar të ketë disa media në pronësi njëherësh.
/Gazeta Enigma/