Optimizmi i zbehur midis kritikave të zhurmshme për Specialen – A do lirohen krerët e UÇK-së së shpejti?

Optimizmi i zbehur midis kritikave të zhurmshme për Specialen – A do lirohen krerët e UÇK-së së shpejti?


Gjykimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-liderëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, në Gjykatën Speciale në Hagë, vazhdon të mbajë pezull drejtësinë për akuzat e rënda për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit të viteve 1998-1999, shkruan Gazeta “Enigma”.

Pavarësisht pritjeve se gjykimi mund të përfundonte këto ditë, ende nuk ka një verdikt final, ndërsa procesi po zgjatet mes zhvillimeve të reja dhe kritikave të ashpra ndaj saj.

Madje të enjten e 10 prillit Specialja vendosu të vazhdojë paraburgimin ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt, lidhur me aktakuzën për pengim të administratës së drejtësisë.

Gjykimi, i cili filloi zyrtarisht më 3 prill 2023, përfshinte 10 akuza të rënda kundër të pandehurve, duke përfshirë persekutimin, vrasjen, torturën dhe zhdukjen e detyruar të personave. Sipas faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në proces janë përfshirë 154 viktima dhe një numër i madh dëshmitarësh, çka e bën çështjen jashtëzakonisht komplekse. Të gjithë të akuzuarit, përfshirë Thaçin, janë deklaruar të pafajshëm dhe procesi vazhdon me seanca të rregullta.

Në dhjetor 2024, u shtuan akuza të reja për pengim të drejtësisë dhe ndikim në dëshmitarë.

Thaçi dhe të bashkëpandehurit janë përballur me akuza të reja për përpjekje për të ndikuar në dëshmitarë, një çështje që ka komplikuar më tej procesin. Gjykata ka insistuar në transparencë dhe respektim të standardeve ndërkombëtare, por numri i lartë i dëshmitarëve dhe natyra e komplikuar e provave po e zgjasin gjykimin.

Një konferencë është planifikuar për 23 prill 2025, e cila mund të hedhë dritë mbi hapat e ardhshëm, por deri tani, nuk ka një afat të qartë për një vendim final.

Cilat janë hapat e radhës sipas Hagës?

Një afat për vendimin gjyqësor në procesin aktual të Gjykatës Speciale nuk mund të përcaktohet ende, për shkak të procedurave që mbeten për t’u përmbushur.

“Aktualisht nuk është e mundur të vlerësohet një datë për një vendim gjyqësor në gjyq, sepse kanë mbetur një numër hapash në çështje,” thuhet në një përgjigjje zyrtare të Speciales për Gazetën “Enigma”.

Sipas rregullave të procedurës, “pasi prokuroria të ketë mbyllur çështjen e saj, Mbrojtja mund të paraqesë mocione duke kërkuar rrëzimin e ndonjë ose të të gjitha akuzave”, thuhet tutje në përgjigjje.

Këto mocione, bashkë me vendimet e Trupit Gjykues mbi to, do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm.

Më pas, “Avokati i Viktimave do të ketë mundësinë të paraqesë çështjen e tij,” ndërsa “secili prej ekipeve të Mbrojtjes do të ketë mundësinë, nëse dëshiron, të paraqesë çështjet e veta dhe të thërrasë dëshmitarë për të mbështetur çështjet e veta,” shtohet në njoftim.

Për të diskutuar ecurinë dhe hapat e ardhshëm, “një konferencë statusi është planifikuar për 23 prill,” çka do të sjellë më shumë qartësi mbi zhvillimet e mëtejshme të këtij procesi gjyqësor.

Termi “Kosovo i Metohija” përdoret nga Specialja?

Në dhjetor 2024, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) doli me një deklaratë ku shprehu shqetësime për zhvillimet në Dhomën e Specializuara në Hagë.

Ata kërkuan drejtësi dhe paanshmëri në procedurat gjyqësore, duke insistuar në standarde evropiane që garantojnë të drejtat themelore të individëve. PDK paralajmëroi se çdo përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën e luftës çlirimtare rrezikon të minojë legjitimitetin e drejtësisë dhe të cenojë trashëgiminë e sakrificës së shenjtë për liri.

Dyshimet për anëshmërinë në gjykimin e Speciales ndaj ish-krerëve, ka ngritur edhe një zhvillim tjetër në punën e Speciales.

Gjatë një interviste të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ku një hetues i ka referuar Republikës së Kosovës me termin pezhorativ ‘Kosovo i Metohija’ (Kosovë dhe Metohi), një shprehje e përdorur prej vitesh nga Beogradi zyrtar dhe regjimi i Millosheviçit për të sfiduar integritetin shtetëror të Kosovës. Ngjarja, e cila ka ndodhur më 11 nëntor 2022 gjatë intervistimit të Sefer Goxhulit, është konfirmuar nga një dokument zyrtar i Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara.

Sipas dokumentit të Avokatit të Popullit, gjatë intervistës së Goxhulit nga dy punonjës të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), njëri prej tyre, teksa lexonte një dokument, iu referua Republikës së Kosovës me fjalët ‘Kosovo i Metohija’. Termi, i cili në kontekstin politik shpesh përdoret nga Serbia për të nënkuptuar pretendime territoriale dhe për të mohuar sovranitetin e Kosovës, shkaktoi shqetësim te Goxhuli. Megjithatë, ai fillimisht nuk e kundërshtoi përdorimin e shprehjes, me këshillën e mbrojtësit të tij, për të shmangur ndërprerjen e procesit. Në fund të intervistës, Goxhuli shprehu pakënaqësinë e tij për përdorimin e këtij termi në dokumentacionin zyrtar.

Sefer Goxhuli kërkoi një shpjegim zyrtar me shkrim nga Prokuroria e Specializuar, duke insistuar që ky shpjegim t’i dërgohet atij, Parlamentit Evropian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit. Kërkesa e tij synonte të sqaronte arsyet e përdorimit të një termi të tillë, i cili konsiderohet fyes dhe i papranueshëm nga autoritetet dhe qytetarët e Kosovës. Termi ‘Kosovo i Metohija’ është përdorur historikisht nga Beogradi zyrtar, veçanërisht gjatë regjimit të Slobodan Millosheviçit, për të nënvizuar pretendimet e Serbisë mbi Kosovën dhe për të sfiduar statusin e saj si shtet i pavarur.

Prokuroria e Specializuar pranoi se termi ‘Kosovo i Metohija’ ishte përdorur gjatë intervistës, por nuk ofroi ndonjë shpjegim të detajuar për arsyet e këtij përdorimi. Pavarësisht kësaj, Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara e rrëzoi kërkesën e Goxhulit për një shpjegim zyrtar, duke e lënë çështjen pa një zgjidhje të qartë. Ky vendim ka ngritur shqetësime të mëtejshme për paanshmërinë dhe ndjeshmërinë e institucionit ndaj çështjeve politike dhe historike të ndjeshme.

Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami, i cili ka fituar një ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e 9 shkurtit në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritikuar me tone të ashpra Gjykatën Speciale për përdorimin e këtij termi.

Behrami ka shprehur shqetësimin se Prokuroria e Gjykatës Speciale është shërbyer me “dezinformata, dokumente të falsifikuara dhe dëshmi të rreme nga Serbia”, duke e cilësuar këtë si një praktikë të papranueshme për një institucion që pretendon të zbatojë drejtësinë ndërkombëtare.

Sipas tij, gjykata ka dështuar të respektojë simbolet dhe identitetin e shtetit të Kosovës, duke vënë në dukje mungesën e flamurit, emblemës dhe shenjave shtetërore të Kosovës në ambientet e saj.

“Prokurorisë së Gjykatës Speciale nuk i ka mjaftuar që është shërbyer me dezinformata, dokumente të falsifikuara dhe dëshmi të rreme nga Serbia. Nuk i ka mjaftuar që aty s’ka flamur, s’ka emblemë, s’ka shenja të shtetit të Kosovës,” shkroi Behrami, duke shtuar se përdorimi i frazës “Kosova dhe Metohija” është një hap që rikthen kohën e Millosheviçit.


Optimizëm se Thaçi dhe të tjerët do lirohen nga akuzat së shpejti

Ish-Komandanti i UÇK-së në zonën e Nerodimes, Shukri Buja, i cili në fund të viti që lamë pas, u lirua nga të gjitha akuzat nga Haga pas 5 vitesh hetime, tha se gjykimi ndaj ish-krerëve është pa kurrfarë baze dhe i konstrukturuar politikisht.

“Gjykimi ndaj ish-krerëve është një proces i cili është stërgjatë, është një akuzë e cila nuk ka kurrfarë baze. Ne kemi bërë luftë vullnetare, çlirimtare. Kjo akuzë prej fillimit deri në fund është e konstrukturuar politikisht dhe realisht edhe terminologjia e që po përdoret është jashtë Kushtetutës së shtetit të Kosovës. Realisht, nuk pritet diçka mirë nga kjo gjykatë”, tha Buja për Gazetën Enigma.

Tutje, ai tha se që prej fillimit të procesit, është parë si i palogjikshëm.

Prej kur ka fillu raporti i Dick Martyt, aprovimi nga Parlamenti Evropian dhe rezoluta e saj, aprovimi i Gjykatës Speciale nga Parlamenti i Kosovës, gjitha procedurat përveç që janë politike, kanë qenë jonormale dhe të paarsyeshme, por poashtu edhe vetgjykimi që po stërgjatet me dëshmi të cilat janë dhënë qysh herët, tregon se procesi është i palogjikshëm”, shtoi ai.

Buja beson në lirimin e ish-krerëve nga të gjitha akuzat në fund të muajit Maj ose fillimin e muajit Qershor.

“Por, besoj tek gjykatësit të cilët janë profesional, të marrin verdiktin i cili pritet të jep lirimin e tyre. Shpresoj që të lirohen nga fundi i Majit, apo fillimi qershorit”, përfundoi ai./ Gazeta Enigma/

Related Articles