Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e thellë për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Përmes një reagimi, OSBE shkruan se dënojnë veprimet që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje dhe shtojnë se veprime të tilla përfaqësojnë një largim të qartë nga standardet zgjedhore të pranuara ndërkombëtarisht.
Tutje në reagimin e tyre shkruhet se këto veprime rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të përforcojnë perceptimet se vendimet janë të motivuara politikisht dhe jo të udhëhequra nga drejtësia.
“Ne jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve”, shkruhet në reagimin e tyre.
Misioni i OSBE-së i ka kërkuar nga KQZ dhe të gjithë aktorëve politikë të mbështesin profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke siguruar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen plotësisht sipas praktikave më të mira ndërkombëtare të vendosura.
