Osmani: Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës është drejtësia

Osmani: Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës është drejtësia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagoi pas aktit makabër të vrasjes së një gruaje 35-vjeçare e cila po pritste për të lindur fëmijën e saj të parë. Osmani shkroi se sonte vajton Kosova për një grua që s’arriti të bëhet nënë dhe për një jetë të palindur.

“Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër ‘burrë’ që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës. Sonte mungojnë fjalët se ato i ka zëvendësuar dëshpërimi. Sonte është e vështirë të mendosh se ka shpresë! Por, sonte shpresa e besimi janë më të nevojshme se kurrë”.

“Kjo valë kriminale e ky femicid ndaj grave duhet të marrë fund. Në sprovë jemi jo vetëm si shtet, por edhe si shoqëri. S’ka më arsyetime e justifikime. Jeta e vajzave dhe grave, sikurse e çdo qytetari tonë është e shenjtë”, shkroi Osmani.

Osmani shkroi se asnjë vajzë e grua më shumë është thirrje kombëtare për të gjithë ne ndërsa përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

“Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: Drejtësi”, deklaroi Osmani.

Related Articles