Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar pas vizitës së saj zyrtare në Shtetin e Bruneit, ku u prit me nderime të larta nga Madhëria e Tij, Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, raporton Gazeta “Enigma”.
Osmani përmes një postimi në profilin e saj në Facebook e ka cilësuar këtë vizitë si “një vizitë historike”, duke theksuar se është ndërtuar “një raport i bazuar në respekt e besim reciprok” mes dy shteteve.
“Një e ardhme e ndritur e potencial i jashtëzakonshëm për bashkëpunim!”, ka shkruar Presidentja, duke falënderuar Sulltanin për mikpritjen dhe nderimin që iu bë Republikës së Kosovës gjatë vizitës.
Në kuadër të kësaj vizite, Shteti i Bruneit ka marrë vendimin që të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke e forcuar edhe më tej miqësinë mes dy vendeve dhe duke hapur rrugë për lëvizje të lirë, shkëmbime diplomatike, ekonomike dhe kulturore. /Gazeta Enigma/