Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën e ka përfaqësuar Kosovën në Këshillin e Sigurimit ku është diskutuar për situatën në Kosovë.
Aty përballë saj ka qenë Ana Bërnabiq, kryeministre e Serbisë, e cila ka propaganduar duke thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po “ushtron terror” mbi popullatën serbe në Kosovë.
Osmani është kundërpërgjigjur, duke thënë se Kurti ka qenë i burgosur politik e që është torturuar gati për vdekje.
E para e shtetit shtoi se përkundër kësaj, Kurti ka zgjedhur rrugën e dialogut me njeriun që në kohën kur Kurti ishte i burgosur ministër i informacionit ishte presidenti aktual serb, Aleksandar Vuçiq.
“Dëgjuam Rusinë e Bërnabiqin duke folur për të ashtuquajturin ‘terror të Kurtit”. Kurti është kryeministër i Kosovës, por ishte edhe i burgosur lufte që u torturua gati për vdekje në burgjet e tyre. Derisa presidenti i Serbisë, ishte ministër i propagandës i Millosheviqit në atë kohë. Për të mos mjaftuar, edhe sot ata do të donin, siç e tha edhe Vuçiqi një natë më parë, që kurrë të mos e kishin lëshuar Kurtin të gjallë nga burgu. Por, prapë kryeministri i Kosovës ka zgjedhur dialogun. Në atë tavolinë në BE në njërën anë ke kryeministrin e Kosovës, një të burgosur lufte që u torturua gati për vdekje e në anën tjetër e ke një ministër propagande të regjimit që e torturoi atë. Por, ne kurrë nuk heqim dorë nga dialogu, si mënyra e vetme për të zgjidhur dallimet”, ka deklaruar Osmani.