Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Uashington, ka takuar Zëvendës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, të cilit i ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për nënshkrimin nga Presidenti Donald Trump të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), si dhe për mbështetjen e vazhdueshme amerikane ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Presidentja Osmani ka falënderuar Uashingtonin edhe për vizionin e Presidentit Trump që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të bazohet në njohje reciproke, për mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike ekonomike.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka diskutuar gjithashtu për zhvillimet e fundit dhe situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar rëndësinë e avancimit të Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, si një platformë thelbësore për forcimin e partneritetit dypalësh dhe bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Presidentja ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës ndaj aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Administratën e Presidentit Trump. Ky përkushtim, sipas saj, është reflektuar përmes heqjes së tarifave për produktet amerikane, marrëveshjes për shtetasit e vendeve të treta, linjëzimit me politikën e jashtme amerikane, harmonizimit të plotë të listës së organizatave të huaja terroriste me urdhrat ekzekutivë të Presidentit Trump, si dhe përmes veprimeve të tjera konkrete që dëshmojnë mbështetjen e Kosovës për këtë administratë.
Në këtë takim, Presidentja Osmani ka ngritur edhe çështjen e shkeljeve flagrante të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, duke kërkuar përkrahjen e Administratës Trump për adresimin e kësaj çështjeje.
Sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Osmani ka shprehur mirënjohje për politikën e qartë të Administratës Trump, sipas së cilës dialogu duhet të bazohet në njohje reciproke, si dhe për përjashtimin e ideve të rrezikshme për ndryshime kufijsh apo ndarje territoriale. Kjo qasje, ka theksuar ajo, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Takimi me Zëvendës Sekretarin Landau, që është takimi i dytë bilateral mes tyre gjatë këtij viti, përfundoi me ritheksimin e Presidentes Osmani se Kosova do të vazhdojë të ecë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit të saj të përhershëm.
