Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit 30-ditor të përcaktuar me Kushtetutë.
Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani theksoi se kërkesa ka karakter preventiv dhe është e domosdoshme për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve të vendit.
Ajo shtoi se situata aktuale paraqet një rast të paprecedentë në jetën politike të Kosovës dhe se mungesa e konsensusit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues ka krijuar një paqartësi serioze në aspektin juridik.
“Çdo moszbatim duhet të ketë pasoja juridike, por ato deri më tani nuk janë sqaruar. Kërkesa jonë në thelb është për qartësimin e këtyre pasojave nëse Kuvendi nuk konstituohet në kohë. Kjo është një përpjekje për të parandaluar pasoja të pariparueshme për rendin kushtetues të vendit”, ka thënë Osmani.
Presidentja vlerësoi se nuk ka sinjale për arritjen e ndonjë marrëveshjeje politike brenda afatit të mbetur, duke e cilësuar situatën si një përplasje institucionale me karakter kushtetues.
“Në horizont nuk shihet as konsensus e as kompromis për zgjidhjen e kësaj çështjeje përbrenda afatit”, ka thënë ajo, duke e quajtur këtë një “konflikt kompetencash kushtetuese”.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 qershor, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh – afat që përfundon pas katër ditësh.