Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova ka mbushur të gjitha kushtet për ta fituar statusin e vendit kandidat të BE-së.
E para e shtetit i bëri këto komente sot në takim me Shefin e ri të Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, gjersa ritheksoi përkushtimin dhe angazhimin e vazhdueshëm të Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Osmani po ashtu theksoi se Kosova vazhdon të jetë në ballë të reformave në të gjitha fushat, “duke harmonizuar legjislacionin e saj me atë të BE-së, si dhe duke qenë plotësisht e bashkërenduar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë sigurinë, si dhe bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Bashkimit Evropian me qëllim të përmbushjes së objektivave të përbashkëta.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani ka përsëritur rëndësinë e madhe të trajtimit të shteteve aspiruese bazuar në merita dhe në përqafimin e vlerave që qëndrojnë në themelet e BE-së. /Gazeta Enigma