Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar veprimtarin e LDK-së dhe bashkëpunëtorin e ngushtë të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Xhemajl Mustafën, në 25-vjetorin e vrasjes së tij. Osmani e ka vlerësuar lart kontributin e Mustafës, duke e cilësuar atë si një nga zërat më të rëndësishëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Në këtë përvjetor kujtojmë me nderim Xhemail Mustafën, një nga zërat më të artikuluar të lirisë, intelektualin që me penë, guxim e vizion mbrojti idealin e Kosovës së pavarur. Ai ishte bashkëpunëtori i palëkundur i Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova, dhe një prej arkitektëve të mendimit politik që na çoi drejt shtetit që kemi sot. Por, plagët e së kaluarës nuk mbyllen pa drejtësi”, tha Osmani.
Për më tepër, Presidentja Osmani ka kërkuar zbardhjen e vrasjes së Xhemajl Mustafës, duke theksuar se kjo është një detyrim i shtetit të Kosovës.
“Zbardhja e kësaj vrasjeje politike nuk është vetëm kërkesë morale, por detyrim i Republikës. Lavdi jetës, veprës dhe sakrificës së Xhemail Mustafës!”
Këto fjalë të Presidentes Osmani nënvizojnë rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për figura të shquara të historisë së Kosovës dhe angazhimin për drejtësi edhe pas shumë viteve.
