Osmani në takim me Rohden flasin për planin evropian: Kosova ka marrë vendime jo të lehta për t’i kontribuar paqes

Osmani në takim me Rohden flasin për planin evropian: Kosova ka marrë vendime jo të lehta për t’i kontribuar paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin u diskutua për zhvillimet në procesin e dialogut dhe situatën aktuale në vend.

“Në takim u diskutua edhe për procesin negociator dhe takimet e fundit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ç`rast Presidentja Osmani theksoi se kjo shënon një moment pozitiv, megjithëse Kosova ka marrë disa vendime jo të lehta në frymën e angazhimit konstruktiv e që do t’i kontribuonin paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Gjithashtu u fol edhe për Planin e Zbatimit të marrëveshjes evropiane dhe hapat e mëtejmë në raport me të që do të ndërmerren nga institucionet e Kosovës.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ranë dakord të hënën nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën të hënën në Bruksel udhëheqësit e këtyre dy vendeve.

Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Borrell tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.

Related Articles