Osmani nga Austria: Njohja reciproke me Serbinë duhet bërë nën kufijtë aktual

Osmani nga Austria: Njohja reciproke me Serbinë duhet bërë nën kufijtë aktual

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një konferencë të përbashkët me homologun e saj austriak, Alexander Van der Bellen, ka dhënë mesazh të qartë tek ky shtet se Kosova do të pranoj njohjen reciproke me Serbinë, vetëm nën kufijtë aktual, raporton Gazeta “Enigma”.

Duke i përmendur krimet që Serbia kreu në Kosovë, presidentja Osmani ftoi presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që të vendos së paku një lule në Batajnicë.

“Për këto krime akoma nuk ka drejtësi, akoma nuk ka kërkim falje nga Serbia dhe për këto krime për fat të keq akoma nuk ka pendesë. Unë i bëj thirrje presidentit Vuçiq, që së paku ta vendos një lule në Batajnicë në varrezën masive ku janë gjetur qindra fëmijë që ishin vrarë gjatë luftën në Kosovë. Ajo që dua të them është që për të pasur sukses cilido proces, jo vetëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por historia ka dëshmuar se çdoherë kur ka pasur luftë ajo që ka qenë parakusht për të arritur paqe të qëndrueshme ka qenë drejtësia”, tha presidentja Osmani.

Tutje ajo potencoi se marrëveshja me Serbinë do të ndodh nën kufijtë aktual të Kosovës.

“Andaj ne si Kosovë kërkojmë drejtësi, jo hakmarrje. Kërkojmë që të na kthehen eshtrat e të vrarëve, që familjet të kenë një vend ku të vendosin lule për ata që i kanë humbur. Do të insistojmë për këtë përgjatë dialogut, dhe e shoh që kjo që po e quani zgjidhje, e që për ne është njohje reciproke është e domosdoshme sepse asnjë gjë tjetër, pos njohje reciproke, nën kufijtë aktual nuk mund të sjellë paqe të qëndrueshme në rajonin tonë”, shtoi ajo.

Osmani përgjatë fjalimit të saj po ashtu tha se “Ne e shohim Austrinë, jo vetëm si partner por si një vend nga i cili mund të mësojmë gjithçka”.

Gjatë vizitës zyrtare në Austri, presidentja Osmani do të takohet edhe me kancelarin Sebastian Kurz, ministren për veprime klimatike, mjedis, energji, mobilitet, inovacion dhe teknologji Leonore Geëessler me të cilët do të shqyrtohet mundësia e bashkëpunimit në projekte konkrete ndërshtetërore.

Presidentja Osmani do të takojë edhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e institucionalë.

Vizita e Osmanit në Austri vjen pas qëndrimit të saj në Turqi, ku mori pjesë në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe në Forumin Diplomatik të Antalia./Gazeta Enigma.

Related Articles