Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në takimin e liderëve të Procesit Brdo-Brijuni, raporton Gazeta Enigma.
Pas këtij takimi, Osmani ka thënë se Serbia duhet t’i sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm.
“Kur flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë. “Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, ka potencuar presidentja Osmani.
Osmani po ashtu gjatë fjalimit të saj theksoi se sa më shpejt të zgjerohet BE-ja, aq më e pasur do të jetë.
“Pyetja për rajonin tonë nuk duhet të jetë ‘Nëse Bashkimi Evropian?, por pyetja duhet të jetë ‘Kur?’. Sa më shpejt të përfundojë procesi i zgjerimit, aq më shpejt do të jetë i plotë vetë projekti i Bashkimit Evropian. Përfshirja e Republikës së Kosovës dhe atyre vendeve në Ballkanin Perëndimor që kryejnë reformat e nevojshme është thelbësore për suksesin e Bashkimit”, theksoi ajo gjatë fjalimit të saj.
Ndër të tjera presidentja Osmani deklaroi se “Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet Unioni, ato janë të shumëfishta. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm për rezistencën e disa Shteteve Anëtare ndaj idesë së anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
Ndryshe, në këtë takim morën pjesë edhe presidenti kroat, Zoran Milanoviqç, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Millorad Dodik, Zheljko Komshiq, Shefik Gjaferoviq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
/Gazeta Enigma/.