Osmani për FSK-në: Zhvillimi sipas standardeve të NATO-s mbetet prioritet i yni

Osmani për FSK-në: Zhvillimi sipas standardeve të NATO-s mbetet prioritet i yni

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka folur sot për zhvillimin e FSK-së dhe zhvillimin e saj sipas standardeve më të larta të NATO-s në konferencën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara, raporton Gazeta ‘Enigma”.

“Zhvillimi i FSK-së sipas standardeve më të larta të NATO-s mbetet prioritet i yni strategjik e kombëtar. Ne synojmë një ushtri moderne, të ndërveprueshme dhe të gatshme për tu përballur me çdo sfidë krah për krah me ushtritë tjera aleate brenda NATO-s. Ky synim është në kuadër të vizionit shtetëror për anëtarësim sa më të shpejtë në këtë aleancë”, ka deklaruar Osmani.

Tutje ajo ka theksuar se “investimi i vazhdueshëm në armatim, si dhe personelin tonë ushtarak e mirëqenien e tyre është jetik, ashtu siç është edhe investimi i vazhdueshëm në institucionet e tjera të sigurisë. Në një botë ku kërcënimet hibride po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, qëndrueshmëria ekonomike është po aq e rëndësishme”.

“Mbrojtja nga sulmet hibride është e domosdoshme. Shteti ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve të qëndrueshme. Një ekonomi e fuqishme e mbështet edhe mbrojtjen”.

“Institucionet tona duhet të jenë të gatshme dhe të koordinuara në çdo moment. Për të qenë të gatshëm të përballemi me këto sfida të sigurisë na nevojitet përfshirja e gjithanshme e e të gjitha hallkave të shoqërisë sonë. Shembulli i reagimit tonë në sulmin në Ibër Lepenc ka treguar rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional, por mbi të gjitha profesionalizmin e institucioneve të sigurisë”, tha Osmani. /Gazeta Enigma/

Related Articles