Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për hapjën e urës së Ibrit.
Ajo ka thënë se hapja e urës së Ibrit në Mitrovicë duhet të bëhet në bazë të një plani me partnerët ndërkombëtarë.
Këto deklarime Osmani i ka bërë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, përcjellë Gazeta Enigma.
“Duhet, siç e parasheh edhe vetë plani i zbatimit të marrëveshjes së arritur në gushtin e vitit 2016, të kemi vlerësime të përbashkëta të sigurisë me partnerët tanë, dhe pas atyre vlerësimeve dhe planit të përbashkët, ajo do të përcaktojë pastaj datën”, deklaroi presidentja Osmani.
Rihapja e kësaj ure e kanë kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.
Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Vendet e QUINT-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm synimin e Qeverisë së Albin Kurtit për rihapjen në këtë kohë ndërsa Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.
Osmani tutje deklaroi se “ura mbi lumin Ibër duhet të hapet dhe hapja e saj është vonuar për tetë vjet me radhë” dhe se “çdo herë kur Kosova, në historinë e saj, ka bashkëpunuar me partnerët, çdo herë ka pasur sukses”.
Ajo tha se lidhur me këtë çështje ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, para një muaji.
Sipas saj, rihapja e temës së urës në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është e rrezikshme. /Gazeta Enigma