Osmani për ish-këshilltarin e saj Bekim Sejdiu: Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet

Osmani për ish-këshilltarin e saj Bekim Sejdiu: Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet

Për Vjosa Osmanin, ish-presidenten e vendit, Bekim Sejdiu dikur këshilltar i saj, sot kandidat i përbashkët për president i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë.

Ish-presidentja Osmani që mori pjesë në bisedimet me LVV-së e LDK-së për zgjidhjen e presidentit e ka vlerësuar lartë Sejdiun.

“Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës. Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij.” – ka shkruar Osmani në Facebook, më 31.08.2026.

Osmani ka thënë se përgjegjësia e vendimit për zgjidhjen e Bekim Sejdiut president është historike. 

“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë. Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!” – ka përfunduar ajo.

Osmani shërbeu si presidente e vendit nga viti 2021. Mandati i saj përfundoi më 04.04.2026 dhe ulësen e të parës së shtetit, përkohësisht e zuri Albulena Haxhiu.

Haxhiu reagoi po ashtu për marrëveshjen mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për president të vendit, duke e mirëpritur atë. 

Sipas Haxhiut, kjo marrëveshje është një hap shumë i rëndësishëm.

“E mirëpres marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President të Republikës. Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve.” – ka shkruar Haxhiu në Facebook, më 31.08.2026.

Haxhiu thekson se tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, “me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës.”

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë një konference për media bashkë me Albin Kurtin dhe me zyrtarë të tjerë të të dyja partive, ka thënë se gjatë diskutimeve të përbashkëta janë dakorduar për emrin e Sejdiut.

“Bisedimet nuk ishin të lehta por ishin shteruese, kemi pasur takime të gjata dhe diskutime të vazhdueshme dhe bukur intensive. Të dy palët kemi qenë të përkushtuar të gjejmë një emër konsensual për presidentin e Kosovës. Gjatë diskutimeve janë diskutuar emra të ndryshëm. Gjatë diskutimeve jemi dakorduar për një emër dhe ai është profesor doktor Bekim Sejdiu” – ka thënë Abdixhiku.

Kurse, kandidati i përbashkët për president të vendit, Bekim Sejdiu, ka deklaruar me këtë rast se është i nderuar për besimin që i është dhënë për këtë pozitë.

Sejdiu tha se motiv i tij i parë dhe kryesor ka qenë që të vihet në shërbim të Republikës së Kosovës. Ai ka falënderuar partinë e Albin Kurtit dhe atë të Lumir Abdixhikut për besimin që ia kanë dhënë.

“Unë e kam pranuar këtë propozim ndonëse ambicia ime ka qenë në fushat më shumë akademike, profesionale, por sidoqoftë duke qenë plotësisht i vetëdijshëm edhe me barrën dhe përgjegjësinë që i sjell posti i presidentit, por edhe me kontekstin aktual të Republikës së Kosovës, jam vënë në shërbim të Republikës, të qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbejë me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë.” – ka deklaruar Sejdiu, më 31.08.2026.

“Shpresojmë dhe besojmë që Republika e Kosovës sikur shumë shpesh në të kaluarën do të gjej rrugë për të ecur përpara, për t’u përballur me sfida të mëdha që na presin dhe për t’i realizuar aspiratat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për prosperitet të vendit tonë.” – ka shtuar ai.

Para Sejdiut, Lumir Abdixhiku, lider i LDK-së në konferencën për media tha se bisedimet me LVV-në nuk ishin të lehta, por ishin “shteruese”.

“Kemi pas takime të gjata e diskutime të vazhdueshme e bukur intensive. Të dy palët kemi qenë të përkushtuar që të përcaktohemi për një emër konsensual për presidentin e Republikës së Kosovës. Gjatë diskutimeve janë përmendur emra të personaliteteve të shquara të vendit që kanë mbështetje, kanë dhënë kontribut profesional e kombëtar në shoqërinë tonë e që kanë vlera demokratike e qytetare.” – deklaroi Abdixhiku.

Ai e ka falënderuar Lëvizjen Vetëvendosje për bisedimet dhe sipas tij kanë bërë “një punë të mirë, të mbarë për Republikën tonë.”

“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet Qeveria e Kosovës dhe le të zgjidhim presidentin e ardhshëm të Kosovës, profesor doktor Blerim Sejdiu.” – theksoi Abdixhiku.

Kurti nuk ka folur fare.

Sejdiu doli si emër i përbashkët për president nga takimi i katërt mes Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë të vendit dhe Abdixhikut sot, më 31.08.2026.

Sejdiu ka qenë gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Para emërimit gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese (prill 2015), ai ka shërbyer si diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Sejdiu i takon brezit të parë të ambasadorëve të Republikës së Kosovës. Në këtë cilësi, ai ka shërbyer si ambasador në Republikën e Turqisë (2008-2012) dhe Konsull i Përgjithshëm në Nju-Jork (2012-2014).

Ai ka shërbyer si këshilltar politik në Kabinetin e ministrit të parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.

Që nga viti 2002, gjyqtari Sejdiu është profesor (asistent) në Departamentin e të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik pranë Universitetit të Prishtinës.

Ka qenë gjyqtar referues në rastin që e ka quar në rrëzim Qeverinë Hoti.

Së fundmi ka qenë këshilltar i ish-presidentes, Vjosa Osmani.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës nuk janë përshirë në bisedimet për zgjedhjen e kandidatit për president, por ta vazhdojnë të bëjnë thirrje për konstituimin e institucioneve.

Seanca konstituive e legjislaturës së 11-të ka filluar më 06.08.2026 e më pas ka vazhduar edhe më 08.08.2026 për të mosvazhduar më.

PDK në vazhdimësi i ka dërguar letra edhe kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari për të vazhduar seancën por ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë pa pasur një marrëveshje politike mes partive për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Në aktgjykimin e 26.06.2025, gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese.

Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.

Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Related Articles