Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shkruar për vdekjen e ish-sekretares së shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.
Madeleine Albright, gruaja e parë sekretare e shtetit të SHBA-së dhe mike e madhe e shqiptarëve, e cila ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë, ka vdekur. Ajo ishte 84 vjeç.
Vdekja e saj u konfirmua në një email drejtuar stafit të Albright Stonebridge Group, një firmë strategjike globale e themeluar nga Albright. Osmani e ka kujtuar miken e madhe të shqiptarëve në një status në Facebook.
“E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi parreshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka shkruar ajo.
“Modeli i saj i një heroine të pamposhtur, guximtare e të vendosur për të mbjellur vlerat demokratike në çdo vend, do të mbetet përherë modeli që do e ndjekim ne që patëm fatin ta njohim si dhe shumë breza pas nesh”, përfundoi Osmani.