Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në takimin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian, inaugurimi i të cilit do të bëhet më 6 tetor, në Pragë.
Këtë e ka bërë të ditur shefi i presidencës, Blerim Shala.
“Kosova merr pjesë në baza të barabarta në takimin përgatitor për nismën e re të Komunitetit Politik Evropian që përfshin 44 shtete të Evropës”, ka shkruar Vela në Twitter.
Komuniteti Politik Evropian është një grupim i ri politik i propozuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, që do të përfshijë vendet e BE-së, Ballkanin dhe vende të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Macron e propozoi idenë në takimin e Këshillit Evropian në qershor.
Qëllimi i projektit, sipas propozimit të Macron, është të ofrojë një platformë për kombet evropiane për të bashkërenduar politikat e tyre në të gjithë kontinentin dhe për të promovuar dialogun politik dhe bashkëpunimin, për të adresuar çështjet me interes të përbashkët në mënyrë që të avancojnë sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e kontinentit të Evropës.