Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri slloven, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës

Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri slloven, e falënderon për mbështetjen ndaj Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, të cilin e përgëzoi për detyrën e re.

Osmani theksoi gatishmërinë për të punuar ngushtë në forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Presidentja Osmani vuri në pah marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes Kosovës dhe Sllovenisë, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta, respekt të ndërsjellë dhe mbështetje reciproke”.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani falënderoi Slloveninë për përkrahjen e vazhdueshme, mbështetjen në rrugën euroatlantike dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Tutje, bëhet e ditur se Osmani përmendi rolin e Sllovenisë si një nga iniciatorët e Procesit të Brdo-Brijunit.

“Ndër të tjera, në takim, Presidentja Osmani përmendi rolin e Sllovenisë si një nga iniciatorët e Procesit Brdo-Brijuni dhe theksoi rëndësinë që Kosova i kushton këtij formati si platformë për dialog rajonal, stabilitet dhe perspektivë evropiane për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.

Related Articles