Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin Aivo Orav, Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili ia dorëzoi “Raportin për Kosovën 2024” nga Komisioni Evropian. Raporti vlerëson progresin e Kosovës në disa fusha, ndërsa identifikon sfida në të tjera.
Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në integrimin në Bashkimin Evropian, duke besuar se zgjerimi i BE-së do të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin e vendit, por edhe në paqen dhe sigurinë e rajonit dhe më gjerë, shkruan Gazeta Enigma.
Ajo theksoi gjithashtu angazhimin e Kosovës në proceset reformuese dhe harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Gjatë takimit, u diskutuan gjetjet e raportit, duke përfshirë nevojën për adresimin e mospërputhjeve në fusha të caktuara, veçanërisht për avancimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Presidentja theksoi rëndësinë e trajtimit të këtyre çështjeve si prioritete, ndërsa theksoi nevojën për përsëritjen e procesit të zgjedhjes së Kryeprokurorit në përputhje me parimet e transparencës dhe meritokracisë.
Raporti i sivjetshëm gjithashtu vlerëson përpjekjet e pandalshme të Presidentes Osmani në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar angazhimin e saj të lartë për barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe viktimat e dhunës seksuale.
Gjithashtu, u përmend organizimi i Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që mbledhë mbi 1,000 pjesëmarrës nga më shumë se 40 shtete./GazetaEnigma/