Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Haitin duke lënë të vdekur mijëra persona, raporton Gazeta Enigma.
“Raportet për tërmetin dhe numrin e të vdekurve janë shkatërruese. Mendimet dhe lutjet tona janë me njerëzit e Haitit, veçanërisht ata që kanë humbur të dashurit e tyre”, shkroi Osmani në Twitter.
Ndryshe, autoritetet në Haiti kanë konfirmuar se të paktën 1,297 persona kanë vdekur pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.2 të shkallës Rihter që goditi vendin të shtunën.
Rreth 5.700 të tjerë janë plagosur, ndërsa nuk ka një numër të saktë të personave që konsiderohen të zhdukur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë operacionin në rrënoja në kërkim të ndonjë të mbijetuari.