Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar nënshkrimin e Planit të Paqes për Gazën duke vlerësuar presidentin amerikan Donald Trump dhe të gjithë liderët pjesëmarrës që mbështetën këtë marrëveshje.
“Sot shënohet fillimi i një agimi të ri dhe një kapitulli të rëndësishëm për paqen në Lindjen e Mesme me nënshkrimin e Planit të Paqes për Gazën. Përmes lidershipit vendimtar dhe të guximshëm të presidentit Donald Trump dhe angazhimit të të gjithë udhëheqësve që punuan pa u lodhur drejt këtij qëllimi, ky moment shprese i shumëpritur është bërë realitet”.
“Kjo marrëveshje ofron një rrugë për t’i dhënë fund viteve të vuajtjeve dhe pasigurisë, duke u dhënë familjeve të panumërta mundësinë për të jetuar në siguri, dinjitet dhe liri”, shkroi presidentja Osmani në platformën “X”.
Pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Trumpi u nis nga Egjipti drejt Washingtonit. Paraprakisht ai u nderua me “Urdhërin e Nilit” nga presidenti i Egjiptit. Kjo iu jepet zakonisht individëve për kontribute të jashtëzakonshme në shërbim të Egjiptit apo të njerëzimit.