Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të martë ka pritur në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, raporton Gazeta “Enigma”.
Thuhet se gjatë takimit presidentja Osmani dhe ambasadori Rohde diskutuan për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend.
Ndër të tjera, në njoftimin e presidencës theksohet se u diskutua për procesin e konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Presidentja ka riafirmuar se sikurse gjithmonë, do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje ata kanë njoftuar se “në takim, Presidentja Osmani vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe partneritetin e palëkundur ndërmjet dy shteteve, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për ta thelluar këtë partneritet dhe për të mbështetur rrugëtimin euroatlantik të Kosovës”. /Gazeta Enigma/