Osmani: U pajtuam t’i analizojmë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Osmani: U pajtuam t’i analizojmë datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

“Ky vendim nuk është marrë sepse duhet t’i analizojmë diskutimet që i kishim me kryetarët e partive”, tha Osmani gjatë konferencës për media pas takimit.

Në takimin konsultativ të thirrur nga Osmani, nuk ishin të pranishëm zyrtarët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por as të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe.

Sipas afateve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, Kosova mund të mbajë zgjedhje të rregullta më 26 janar, 2, 9 dhe 16 shkurt.

Osmani tha se partitë kishin preferenca të ndryshme sa i përket datës për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Nuk kishte insistim të tepërt nga partitë, kishte më shumë preferenca…Disa parti preferuan 26 janarin, ka tri a katër të tjera që preferuan 9 shkurtin, dy a tri tjera 16 shkurtin. Dhe kishte parti të tjera që nuk kishin fare preferenca”, u shpreh Osmani.

Viti 2025 do të jetë vit i rregullt zgjedhor dhe nëse partitë vendosin që të mbahen zgjedhje të rregullta dhe jo të parakohshme, atëherë Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti do të bëhet Qeveria e parë që nga shpallja e pavarësisë, që do të përfundojë mandatin e plotë katërvjeçar.

Për një kohë të gjatë, partitë opozitare kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por më herët gjatë këtij viti dështuan të arrinin pajtim se si të shkohet në zgjedhje.

Related Articles