Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot gjatë ditës ka qëndruar në Lezhë, me rastin e 581-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Osmani është shprehur se historia ka mësuar se bashkimi është forca më e madhe.
“Në Lezhën e Besëlidhjes, sot nderuam 581 vjetorin e unitetit shqiptar dhe përuruam shtatoren e Gjergj Kastriotit – simbolit tonë të qëndresës dhe vizionit”, ka shkruar e para e vendit në Facebook.
“Historia na mëson se bashkimi është forca jonë më e madhe. Prandaj, sot në këtë qytet të besëlidhjes, u bashkuan zërat nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, arbëreshët nga Italia e shqiptarë nga treva të tjera shqiptare e nga mërgata, me mesazhin se vepra përbashkuese dhe fryma e Skënderbeut duhet të mbeten busulla jonë kombëtare”. /Gazeta Enigma