Presidentja Vjosa Osmani e ka akuzuar zëdhënësin e Bashkimit Evropian, Peter Stano, për deklarata raciste karshi Kosovës, në çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.
“Sa i përket Bashkimit Evropian deklaratat e zëdhënësit të këtij institucioni janë mbi të gjitha raciste, kështu që as nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana ime. Unë jam deklaurar në raport të atyre deklaratave raciste. Nuk ka as një arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës së Ibrit në Bruksel”, tha Osmani para gazetarëve në Viti.
Ajo tha se hapja e urës për qarkullim nuk duhet të jetë pjesë e bisedimeve në dialog.
“Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi më duket është nga Sllovakia nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Pra, nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Kosovës, dialog për këtë temë nuk do të duhej të pranonte askush, do të duhej të ishte kundër kushtetuese dhe kundër sovranitetit”, deklaroi Osmani. /Gazeta Enigma