OVL-UÇK dënon ekspozitën për masakrat, të hënën protestë para Kuvendit

OVL-UÇK dënon ekspozitën për masakrat, të hënën protestë para Kuvendit

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar ashpër ndaj ekspozitës mbi masakrat e luftës së fundit në Kosovë, duke e cilësuar atë si përpjekje për relativizim të krimeve serbe.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, theksoi se një qasje e tillë është e papranueshme dhe fyese për viktimat e luftës, derisa njoftoi edhe mbajtjen e një proteste të hënën para Kuvendit.

“Nuk pranojmë relativizimin e krimeve serbe, nuk heshtim përballë fyerjes së viktimave tona. Për këtë arsye, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë vendosur që nesër, e hënë, në ora 13:00, të organizojnë protestë para Kuvendit”, deklaroi Syla.

Ai bëri të ditur se protesta do të mbahet te hyrja kryesore e Kuvendit dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen.

“Kuvendi i ka dy-tri hyrje, ju e dini, bëhet fjalë për hyrjen kryesore këtu ku edhe parkohen makinat e deputetëve edhe atyre që funksionojnë, operojnë e veprojnë në Kuvend. Përmes kësaj konference, i ftojmë të gjithë qytetarët që kanë dinjitet, që e ndiejnë sakrificën dhe që nuk e pranojnë padrejtësinë të na bashkohen nesër në orën 13:00. Kjo nuk është vetëm protesta jonë, kjo është mbrojtje e historisë sonë. Ju presim nesër në orën 13:00 para Kuvendit të Kosovës. Ta ngremë zërin së bashku në mbrojtje të vlerave të luftës dhe ta nderojmë kujtimin për martirët tanë”, tha Syla.

Related Articles