Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka thënë se Kosova ka humbur 56 milionë euro për energji, që nga 19 korriku.
“130 MWh energji nuk po prodhohen në Bllokun A5 në KEK, nga 19 korriku 2022. Me koston aktuale të energjisë në bursa, kjo në numra i bie humbje prej 78 mijë € në orë: ose 1 milion e 870 mijë euro në ditë apo 56 milionë € në muaj. E kjo humbje do të vazhdoj deri kur A5 të rikthehet në prodhim“, ka shkruar Tahiri.
Për këtë, Xhaferi fajësoi Qeverinë dhe bordin e KEK-ut.
“Pra, 56 milionë € në muaj Kosovës po i kushton paaftësia e Qeverisë dhe Bordit të KEK, sepse KEK për 1 vit nuk ka arritur të filloj me remont në Bllokun A 5, e janë detyruar për shkaqe teknike nga 19 Korriku me ndal krejt Bllokun A5. As kontratë për remont të këtij blloku KEK nuk ka!!!”, u shpreh ai.
Tutje Xhaferi sugjeroi se këto humbje shteti do mund t’i investonte në disa fusha tjera.
“Çka kish me ba Kosova me 56 milion € në muaj? p.sh kish me ndërtu kopshte për fëmijë në krejt Kosovën, ose nga buxheti i Kosovës ne vend që këto para me i hargju me ble energji, ishin përdorë me i rritë pagat e mësuesve e të mjekëve”.
“Pse remonti i A5 nuk ka ndodhë në kohë? Sepse tenderi për remont me gjasë ju ka përgatitë dostave të bordit të zgjedhur nga kjo Qeveri, tenderi ka dështuar, Blloku A 5 është ndalur, KEK prodhon 130 MWh më pak ndërsa nga buxheti i shtetit po shpenzohet me ble energji, e prap kemi reduktime në pikë të verës”.
“Terri ka adresë!”, përfunoi Tahiri.