Një situatë jo e këndshme ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës, në momentin kur kryeparlamentari Glauk Konjufca votoi pro mocionit procedural të propozuar nga opozita për ndryshim të rendit të ditës.
Në momentin e hedhjes në votim të këtij mocioni, kryeparlamentari Konjufca ngriti dorën, duke votuar pro, pas kësaj filluan ngacmimet nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Abren Gashi, i cili iu drejtua Konjufcës: “hajde kalo në LDK se krejt po dalin”.
“Shih-shih, çka është kjo tradhti more kështu. Glauk, t’kanë tradhtu, hajde në LDK, qu del këndej, qu del në LDK se krejt po dalin”, ishin fjalët e Gashit drejtuar Konjufcës.
Ndryshe, ishte Shefi i Deputetëve të PDK’së, Abelard Tahiri, ai i cili kërkoi që të votohej një mocion, ku propozohej që debati për grevat në arsim të niste menjeherë, në mënyrë që të lirohej salla e Kuvendit për një aktivitet të NDI’së, që ishtë planifikuar të mbahej në sallën e Kuvendit të Kosovës, nga ora 16:00.
“Meqenëse jemi paralajmëruar për një aktivitet të NDI rreth orës 4 në sallën plenare të Kuvendot, kërkojmë mirëkuptimin nga deputetët në mënyrë që lirojmë sallën në orën 16:00, ashtu siç jemi informuar nga Kryetari i Kuvendit, pra pikën në debatin për grevat e përgjithshme ta zhvendosim tani dhe pyetjet parlamentare dhe ligjet që i kemi ta vazhdojmë pas përfundimit të këtij debate apo edhe nesër,.
Në mënyrë që të mos zhvendoset aktiviteti i NDI, kërkojmë që debatin për grevat ta fillojmë tani, për ta liruar sallën në orën 16:00. Nëse nuk keni vullnet me votu një mocion të tillë procedural, u bëj thirrje administratës dhe Kryetarit të Kuvendit që të bëj një zgjidhje për aktivitetin e NDI në ndonjë prej sallave alternative të Kuvendit”, tha Tahiri.